TALIAVINI KARLO
✤ (Carlo Tagliavini, 1903-1982). Gjuhëtar i njohur italian, romanist, ballkanolog e albanolog. Mbajti për shumë vjet ligjërata të rregullta në Universitetin e Padovës për gjuhën e për letërsinë shqipe. Ka botuar monografi e artikuj për çështje të dialektologjisë, të leksikologjisë historike, të historisë së gjuhës shqipe dhe të gjuhësisë shqiptare. Ka shkruar vështrime të përgjithshme për shqipen në enciklopedi, përmbledhje e vepra të ndryshme, ka mbajtur për disa vjet (nga 1941) rubrikën bibliografike për albanologjinë dhe ballkanistikën në organin «Indogermanische Jahrbuchx. Me veprën «Shqipja e Dalmacisë» (1937) dha një ndihmesë për njohjen e së folmes shqipe të Borgo Ericos (Arbëneshit) afër Zarës. Ndihmoi edhe për studimet etimologjike në fushë të shqipes duke vënë në dukje përfundimet e arritura në periudhën pas botimit të «Fjalorit etimologjik» të G. Majerit. Hartoi edhe një monografi dialektologjike për «Të folmet shqipe të tipit të gegërishtes lindores* (Dardani dhe Maqedoni veriperëndimore, 1924), në të cilën dha një parashtrim përshkrues të të folmeve shqipe të Kosovës e të Maqedonisë.
Në vëllimin «Shtresimi i leksikut të shqipes> (1943 dhe 1965) u botua një pjesë e kursit për gjuhën shqipe, të mbajtur prej K. Taljavinit në Universitetin e Padovës.
(B. Be.—M. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Taliavini Karlo
[cite]