TATIMI I JASHTËZAKONSHËM MBI FITIMET E LUFTËS
✤ Masë revolucionare që u vendos në bazë të ligjit nr. 37 dt. 13.1.1945, të Kryesisë së KANÇ. Me anë të tij u shpronësua borgjezia e madhe nga akumulimet monetare. T. e J. shërbyen si burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin e shtetit për të financuar rimëkëmbjen e ekonomisë së shkatërruar nga lufta si dhe për të siguruar një sasi të caktuar fondi mallrash në duar të shtetit. Në bazë të ligjit, T. të J, iu nënshtruan fitimet e mëdha të luftës, të realizuara prej 7.4.1939 deri ‘më 31.12.1944. Ai llogaritej për fitimet mbi 500.000 fr. shq. me tarifë progresive të shkallëzuar, e cila lëvizte nga një minimum prej 45 deri në 80 për qind. Për vërtetimin e fitimeve dhe caktimin e tatimit, pranë komiteteve ekzekutive të këshillave nacionalçlirimtarë të prefekturave dhe nënprefekturave u krijuan komisione të posaçme, ku bënin pjesë përfaqësues të pushtetit, të ushtrisë, të organizatave të masave dhe ndonjë specialist. Lufta e vendosur e organeve të diktaturës së proletariatit, e mbështetur me të gjitha forcat nga masat e popullit, bëri që kjo masë të realizohej me sukses, duke goditur rëndë pozitat ekonomike të borgjezisë. (N. Bo.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tatimi I Jashtëzakonshëm Mbi Fitimet E Luftës
[cite]