Teodor Haxhifilipi
shqiptar ortodoks Teodor Haxhifilipi (1730-1805) i njohur me emrin Dhaskal Todri, ka studiuar në Akademinë e Voskopojës. Më vonë e gjejmë në Elbasan si mësues dhe predikues. Ka bërë përkthime të shumta fetare duke përkthyer shqip Dhjatën e vjetër dhe të Re dhe Liturgjinë e Shën Joan Gojartit. Gjatë përkthimit të Liturgjisë ka ndjekur fjalë për fjalë tekstin greqisht duke mos e përshtatur si duhet në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e shkrimeve të tij u dogj pas epidemisë së kolerës të vitit 1827. Prej tyre shpëtoi Liturgjia e Joan Gojartit, e cila ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në një kopje të mëvonshme të kopjuar nga igumeni i Manastirit të Shën Gjon Vladimirit, Haxhi Josifi. Liturgjia e Joan Gojartit u botua në revistën “Kopshti Letrar” në Elbasan. Alfabeti i përdorur nga Dhaskal Todri pati jehonë të madhe kudo dhe menjëherë filloi të përdorej jo vetëm nëpër shërbesat fetare dhe shkolla por edhe në jetën e përditshme të tregtarëve elbasanas. Alfabeti i Theodhor Haxhifilipit luajti rol të rëndësishëm për përhapjen e gjuhës shqipe nga fundi i shekullit XVIII e deri në fillimet e shekullit XIX dhe për zëvendësimin e greqishtes me gjuhën shqipe. Konsulli austriak në Janinë, albanologu Johan Georg fon Hahn (1811-1869), u entuziazmua shumë kur me ndihmën e Konstandin Kristoforidhit u zbulua alfabeti i Dhaskal Todrit. Gjithashtu Dhaskal Todri ka përkthyer edhe Librin e Orëve.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Idromeno, Shkodër 1999. faqe 99-103.
2-Dhimitër Shuteriqi, Shkrimet shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë 1976. faqe 156.
3-Dhimitër Beduli, Gjuha shqipe në kishë, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1997. faqe 11.