TERCIARI
✤ Periudha e parë e erës kenozoike, e përfshirë ndërmjet mesozoit dhe kuaternarit që ka zgjatur në kohë 63 milion vjet (nga para 65 milion deri para 2 milion vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë sistemin tereiar. Ndahet në nënsistemet (nënperiudhat paleogjen dhe neogjen (shih).
Në Albanidet dhe në tërë trevën mesdhetare gjatë T. klima, që fillimisht ishte tropikale, u ftoh dora-dorës duke u bërë e ngjashme me të sotmen. Si pasojë e përtëritjes së ndieshme të botës organike, ajo mori, po dora-dorës, pamjen e sotme. Në botën shtazore të steresë spikat, zhdukja e zvarranikëve të mëdhenj mesozoikë, shtimi
i shpendëve fluturues, zhvillimi i madh i gjitarëve, dhe sidomos i primatëve, nga të cilët nëpërmjet majmunëve antropomorfë u zhvillua njeriu nga mbarimi i pliocenit dhe fillimi i kuaternarit. Në trevën detare u zhvilluan me shumicë butakë, foraminiferë, peshq me skelet eshtror, gjitarë detarë dhe korale e alga të shumta. Në botën bimore spikat zhvillimi i bimëve farëveshura dhe sidomos dalja e drithërave.
Gjatë T. falë afrimit të pllakës afrikane me atë evropiane, ndodhën lëvizje të fuqishme tektonike në faza të ndryshme të ciklif malformues alpin, si rrjedhojë e të cilave u krijuan doradorës tërësia e vargjeve të rrudhosura alpine mesdhetare dhe e Albanideve si pjesë e tyre. Si pasojë e këtyre lëvizjeve, në trevat detare, që rrethonin vargmalet në formim e sipër, depozitimi i gëlqerorëve u zëvendësua nga depozitimi i flishit dhe i molasës. Në mjaft vise të trevës mesdhetare pati edhe veprimtari të madhe vullkanike, sidomos nga mbarimi i T.
Me përjashtim të sektorëve më perëndimore të Ultësirës Prandadriatike, që mbuloheshin ende nga deti, gjatë T. doli mbi ujë dhe u kthye në stere pjesa më e madhe e territorit shqiptar, u formua rrjeti hidrografik dhe u shtua gërryerja e modelimi gjeomorfologjik i relievit. Nga ana tjetër, në gropat ndërmalore të Albanideve të brendshme, nga fundi i T., në miocen e pliocen u krijuan disa pellgje të mëdha liqenore, që vazhduan edhe në kuaternar, e që u mbushën me depozitime kontinentale, herë-herë qymyrmbajtëse. Gjatë T. në Albanidet u formuan mjaft shtratime e vendburime mineralesh të dobishme, si të naftës e gazit, qymyrit, bitumit natyror, boksitit, kripës së gurit etj.
(A.P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Terciari