TERRAKOTA


TERRAKOTA
✤ Skulpturë e vogël prej balte të pjekur. Për të parën herë shfaqet në trevat e Shqipërisë në neolitin e hershëm si dhe në kulturat e mëvonshme neo-eneolitike. Më shpesh T. neo-eneolitike riprodhon figura njerëzore, ndërmjet të cilave më e dendur është figura e gruas, që me lindjen e zhvillimin e bujqësisë lidhet me kultin e nënës tokë. Figurat e ‘kafshëve shtëpiake e të egra lidhen me kultin e gjësë së gjallë dhe të gjuetisë. Karakteristike është paraqitja e figurave në mënyrë të skematizuar. ‘ Tipat më të hershëm janë shtyllëzorë ose steatopigjikë, por ka shembuj që pasqyrojnë përpjekjet’ për të dhënë me thjeshtësi primitive figura sa më realiste (në kulturat mesoneolitike të Dunavecit dhe eneolitike të Maliqit) disa herë mjaft sugjestive (koka e kaut e Dunaveeit). Kryesisht, qëndrimi i tyre është i drejtë, më këmbë por nuk mungojnë edhe modelime figurash ndenjur këmbëkryq ose në fron, si ato të Cakranit, Dunavecit, Maliqit etj. Afër figurinave qëndrojnë, qoftë nga funksioni i kultit, qoftë nga qëllimi magjik, vazot antropomorfe e zoomorfe. Disa prej tyre, si vazoja bust e Kamnikut ose edhe vazoja ornitomorfe e Maliqit, shquajnë për bukurinë e modelimit ahe rregullsinë e përmasave.

Në epokën e bronzit, T. si prodhim artistik e me funksione kulti humbet. Prodhimi i T. vjen e bëhet shumë i madh në qytetet ilire dhe kolonitë bregdetare të periudhës antike. Në fillim kemi të bëjmë me ex-voto, në stilin e skulpturës së madhe arkaike dhe të pikturuara (bust gruaje, shek. IV para e.r., Apoloni). Pas shek. IV p.e.r. T. ka edhe funksion thjesht estetik. Tematika e saj zgjerohet. Përvec hyjnive përfytyrojnë edhe njeriun e vërtetë. Shpesh paraqesin trupa të bukur e harmonikë (tors i një djaloshi, shek. III p.e.r., Antigone; trup gruaje gjysmë i zhveshur, shek. III p.e.r., Dimal), si dhe kafshë (kokë demi, shek. IV, Gramsh) etj. Në epokën helenistike T. marrin gjithnjë e më shumë karakter zhanri. Përhapet shumë figurina e gruas që mban ujë me enë në kokë (Hydrofora, Apoloni, mbajtësja e ujit me veshje lokale, Durrës). Të tjera paraqesin karaktere të ndryshme shoqërore (bariu që mban mbi supe një qengj, Durrës, fëmijë që lot me një mace, shek. III p.e.r.). Përhapje të gjerë kanë bustet-protome (skulpturë vetëm me anën ballore). Trajta klasike por edhe elemente origjinale në tip e në pajim kanë protometë dhe statuetat e Belshit (shek. III p.e.r.,) që paraqesinpërgjithësisht Afërditën. Një shumicë protomesh të Durrësit paraqesin gra e hyjnë në një larmi të pafund frizurash. Shpesh T. antike ka përmbajtje humoristike, paraqet aktorë, maska, shkurtabiqë, grupe me njerëz e kafshë etj. T. antike jep përfytyrime realiste pak të idealizuara, shquan për lëvizjen elegante të figurave, modelimin e gjallë dhe përpunimin e bukur plastik të detaleve.

T. mori zhvillim të ri si prodhim i ndërmarrjeve artistike, në kohën tonë, pas Çlirimit. Punohet thjesht në baltë të pjekur, biskot ose e glazuruar me shumë ngjyra; paraqet figurina me kostume popullore të krahinave të ndryshme të vendit, të njeriut të punës me veshjen e sotme, si dhe përfytyrime dekorative të kafshëve. Krijohet edhe T. me autorë që japin krijime me vlera të veçanta e orgjinalitet individual. Kjo T. eshtë realiste, dallon për fantazinë e përfytyrimeve, larminë e tipave dhe pasurinë koloristike.

(F.P.—A.Ku.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Terrakota


[cite]