TERRORI FASHIST
✤ Veprimet dhe masat shtypëse e terrorizuese si vrasjet, burgimet, internimet, djegiet, plaçkitjet etj., që fashistët italianë, nazistët gjermanë dhe tradhtarët kryen në qytetet dhe fshatrat tona gjatë pushtimit të vendit (1939-1944), për të shkatërruar Lëvizjen ANÇ dhe për të larguar popullin nga rruga e drejtë e saj. Pushtuesit e huaj hodhën në burgje dhe në kampet e përqendrimit brenda e jashtë Shqipërisë rreth 10 000 shqiptarë, dogjën e shkatërruan 850 qytete e fshatra, nga 2 500 që kishte gjithsej Shaipëria; organizuan disa operacione ndëshkimore terrorizuese në Pezë, Mallakastër, Kurvelesh, Skrapar etj. dhe kryen masakra të mëdha në Borovë (shih: Masakra e Borovës) dhe në Tiranë (shih: Masakra e 4 shkurtit). Veçanërisht i egër ka qenë terrori i nazistëve gjermanë në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut gjatë mësymjes së përgjithshme që ata organizuan në dimrin e 1943-1944 dhe në mësymjen e qershorit 1944. Si pasojë e terrorit fashist populli shqiptar pësoi dëme të mëdha në njerëz dhe në pasurinë e tundshme e të patundshme (shih: Dëmet e Luftës).
(S. O.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Terrori Fashist
[cite]