TERXHUMANI SHARK
✤ (Interpreti i Lindjes, 1878). Gazetë e përditshme, botohej në Stamboll në gjuhën turke. Numri i parë ka dalë më 22 rnars 1878. Botuesi i saj ka qenë Mihran. Duke filluar nga numri 74 (10 prill 1878) dhe derisa u mbyll, në nëntor 1878 kryeredaktor i gazetës ishte Sami Frashëri; botonte kryeartikuj, shënime, komente dhe lajme për ngjarjet politike që ndodhnin në Perandorinë Osmane dhe në vendet e tjera të botës. Me vënien e Samiut kryeredaktor, T.Sh. bëhet më e pasur në përmbajtje dhe merr një karakter të mprehtë politik. Pothuajse në çdo numër Samiu botonte nga një shënim ose koment politik ku mbron interesat kombëtare të shqiptarëve kundër lakmive pushtuese të Fuqive të Mëdha dhe shteteve shoviniste fqinje. Në to pasqyrohet veprimtaria e gjithanshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe parashtrohet kërkesa e bashkimit të tokave shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Lidhja e Prizrenit trajtohet nga Samiu si një organizatë e ngritur nga shqiptarët e besimeve të ndryshme, për të mbrojtur interesat e kombit shqiptar.
Paraqitja me realizëm e ngjarjeve të kohës dhe në mënyrë të veçantë mbrojtja që Samiu i bëri çështjes shqiptare, u bënë shkak për mbyll,jen e T. Sh. nga Porta e Lartë.
(Sh. Ç.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Terxhumani Shark
[cite]