TEUTA
✤ Regjente e mbretërisë ilire në vitet 230-228 p.e.r. U vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të shoqit, Agrov.it (shih), si tutore e Pimit, birit të mitur të tij, që e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Ndoqi politikën e Agronit dhe zhvilloi një veprimtari energjike. Përballoi rivalitetet e brendshme, ruajti aleancën me Maqedoninë dhe e rriti fuqinë politike të mbretërisë. Në vitin 230 p.e.r. ndërmori sulmin kundër Lidhjes Epirote, pushtoi kryeqytetin e saj, Foiniken, dhe e detyroi Epirin të shkëputej nga aleanca me etolët dhe të lidhej me mbretërinë ilire. Me përfundimin në të njëjtën kohë edhe të një rrjeti aleancash të tilla me Lidhjen Akarnane, krijoi një kufi të drejtpërdrejtë midis Mbretërisë ilire e botës greke.
Ndërkaq forcimi i pozitës së mbretërisë ilire në Ballkan binte ndesh me politikën ekspansioniste të fuqisë së re mesdhetare, Romës, e cila në këtë kohë ishte drejtuar nga lindja. T. përballoi me dinjitet diktatin’ dhe veprimet provokuese të senatit romak, pa mundur të mënjanojë konfliktin e armatosur, që shpërtheu me ndërhyrjen e parë romake në Iliri në vitin 229 p.e.r. Edhe pse T. mori masa të rëndësishme për t’i dalë rrezikut përpara, duke angazhuar forcat e saj kryesore në mbrojtjen e vijës bregdetare, nuk pati sukses. Plani i saj për të pushtuar Issin, Dyrrahun, Apolloninë dhe Korkyrën dështoi. Pas tradhtisë së komandantit të saj, Demetër Farit që u dorëzoi romakëve Korkyrën e pushtuar, T. u detyrua të heqë bllokadën dëtare edhe nga qytetet e tjera. Qëndresa e mëtejshme që bënë ilirët në tokat e ardiejve dhe sidomos në qytetin Nutria duke u shkaktuar romakëve humbje të rënda, nuk e ndryshoi fatin e luftës. Pas kësaj T. me forca të pakta u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit; në pranverë të 228 p.e.r. dërgoi në Romë përfaqësuesin e vet dhe përfundoi me senatin një paqe me kushte shumë të rënda për ilirët. Pas kësaj ngjarjeje T. kishte abdikuar ose kishte vdekur dhe nuk përmendet më. Në krye të mbretërisë ilire u vu si regjent Demetër Fari (shih).
(F. D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Teuta