Theofan Popa
shqiptar ortodoks Theofan Popa (1917-1985) ka lindur më 27 dhjetor të vitit 1917 në lagjen Kala të Elbasanit. Pasi përfundoi shkollën fillore Kostandin Kristoforidhi, e cila gjendej në oborrin e Kishës së Shën Marisë, me ndërhyrjen e Atë Josif Mihalit mundi të sigurojë një të drejtë studimi për në Seminarin ortodoks të Bitolit (Manastir). Pasi përfundoi seminarin në vitin 1936 u kthye në Shqipëri dhe pas një viti me bekimin e Kryeepiskopit Kristofor Kisi mundi të siguronte një bursë për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, në vitin akademik 1937-1938. Por sapo përfundoi vitin e parë të fakultetit e njoftuan se duhej t’i ndërpriste studimet në Athinë, për t’i vazhduar në Kolegjin Anglikan “Ngjallja e Krishtit” në Londër. Pasi qëndroi vetëm disa muaj në Londër (gusht -nëntor 1938) u kthye përsëri në Athinë për të vazhduar studimet të cilat i përfundoi në vitin 1941. U kthye në atdhe më 1942 dhe filloi punë në Liceun e Korçës si profesor i gjuhës latine. Më vonë u transferua në Tiranë ku punoi si predikues dhe artikullshkrues pranë kryesisë së kishës. Theofani botoi një buletin dyjavor me predikimet e të dielave, i cili u dërgohej kishave ortodokse të Shqipërisë. Për disa motive, të cilat kanë mbetur ende enigmë, Theofani u largua nga kisha. Ai filloi të punonte si përkthyes i serbokroatishtes në Ministrinë e Financave. Së fundi u sistemua në Institutin e Shkencave në vitin 1949 në Sektorin e Historisë së Mesjetës, ku e ngarkuan të merrej me studimin e ikonave dhe të afreskave kishtarë. Duke bashkëpunuar ngushtë me bizantologen ruse Viktori Puzanova, Theofani punoi me zell për evidentimin dhe sistemimin e mbishkrimeve kishtare, të cilat i përmblodhi më vonë në një botim prej 600 faqesh me titull “Mbishkrimet mesjetare të kishave në Shqipëri”. Ky libër e pa dritën e botimit vetëm në vitin 1999. Theofani ka një veprimtari të gjerë kërkimore e shkencore për evidentimin e vlerave historike të monumenteve të kulturës së popullit shqiptar. Në vitin 1954 Theofani u martua me zonjën Eli Mano nga Korça dhe patën dy fëmijë, Dhimitraqin dhe Anën. Pas ndalimit të lirisë fetare më 1967 Theofani pati privilegjin që të siguronte një leje nga Universiteti i Tiranës për t’u marrë me kishat mesjetare të Shqipërisë. Veprimtaria shkencore e Theofan Popës është mjaft e pasur dhe e larmishme. Në vitet 1950-1967 ai u muar me deshifrimin e mbishkrimeve të vjetra nëpër kisha, ikonostase, amvone, ikona etj. Ndërsa në harkun kohor 1967-1975 Theofani u mor me grumbullimin e objekteve kishtare, duke i shpëtuar ato nga shkatërrimi. Me interesimin e tij u grumbulluan me qindra ikona, libra liturgjikë, veshje priftërore etj. Theofani është nga themeluesit e Muzeut ikonografik të Korçës që u vendos në Kishën e Burimit Jetëdhënës. Më vonë punoi në krijimin e Muzeut Onufri në Berat e gjetkë. Një fazë e rëndësishme për veprën e Theofanit janë vitet 1974-1980 kur ai merrej me ruajtjen e kishave dhe të manastireve. Në këtë kohë ai punoi pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës. Theofanin e akuzonin se shfrytëzonte detyrën shkencore për të bërë propagandë fetare. Në një mbledhje atë e pyetën: “A beson në Zot, apo jo?” Theofani iu përgjigj: “T’ju them se nuk besoj do t’ju gënjej dhe gënjeshtra nuk është në karakterin tim”. Me gjithë këtë aktivitet kërkimor e shkencor Theofani kishte krijuar një reputacion të mirë në rrethet e intelektualëve. Por pas dënimit të djalit, Dhimitraqit, me akuzën për agjitacion dhe propagandë me shtatë vjet burgim në Spaç, Theofani u mënjanua dhe veprimtaria e tij shkencore do të harrohej. Ai ndërroi jetë më 30 dhjetor 1985 në Tiranë, duke na lënë imazhin e një njeriu që gjithë jetën e tij ia kushtoi ortodoksisë.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimtër Beduli, Theofan Popateolog dhe studiues i denjë i kishës dhe i kombit, Ngjallja, janar 1995, faqe 6,8.
2-Vasil Kaskadami, Theofan Popa një misionar i kohës, Athinë 2000.
3-Vasil Kaskadami, Theofan Popa- Arkeologji dhe misionarizëm, Athinë 1997. 4–Pirro Thomo,Konseguent deri në fund në bindjet e tij, Ngjallja, prill 2002, faqe 3.