THESARE KULTURORE QË I KTHEHEN POPULLIT1
ALEKS BUDA
Edhe librat kanë fatin e vet. Kjo fjalë e urtë e moçme të bie ndërmend menjëherë kur dëgjon
për historinë e habitshme të dy kodikëve të lashtë, me prejardhje nga qyteti-muze i Beratit,
njëri prej të cilëve ka moshën e respektueshme prej rreth 1400 vjetësh, ndërsa i dyti është
vetëm njëmijë e njëqind…
Këto thesare të humbura u gjetën të dëmtuara rëndë dhe pasi u restauruan, iu kthyen më në
fund popullit e kulturës sonë, të cilëve u përkitnin.
Në vitin 1885, kur studiuesi francez P. Battifol ndërmori një udhëtim të mundimshëm në atë
provincë të humbur e të varfër të perandorisë osmane, siç ishte në atë kohë Shqipëria, ai
mbeti i habitur që vetëm në Berat mundi ta pasuronte me 3 figura të reja2 listën e kodikëve
krysografikë të stilit bizantin, domethënë të shkruar me ar e argjend, listë që në atë kohë as
nuk e arrinte një duzinë ekzemplarësh, të shpërndarë në bibliotekat e muzetë më të mëdha
të botës. Le të shtojmë, me këtë rast, se edhe sot ky numër nuk ka mundur të rritet shumë…
Dhe midis këtyre 3 numrave të rinj që u zbuluan atëherë, dy ishin kodikët për të cilët po bëhet
fjalë sot.


Një fakt i tillë mund të jetë i habitshëm sot vetëm për ndonjë njeri që mundohet të shohë 3 me
çdo kusht në një histori popullsish të prapambetura, që nuk paskan njohur një shkallë më të
lartë qytetërimi dhe bashkë me këtë as nevojën e shkrimit.
Vetë Berati është një shembull i mirë për këtë, me arkitekturën monumentale civile 4 e të
kultit, me veprat e pikturës murale e të kavaletit që stoliste nga brenda këto ndërtesa. Këtu
ishte zhvilluar qysh herët një traditë e pasur në fushën e arteve të vogla të aplikuara, të
artizanatit, të argjendarisë, të skalitjes, të qëndisjes me fije argjendi etj. Në këto kushte Berati
u bë në një farë kuptimi qendër e një tradite artistike me tipare pak a shumë të kristalizuara,
e cila rrezatoi prej këtej në krahina të tjera të vendit dhe ndikoi edhe në shekujt pasues në
fushat e ndryshme të krijimtarisë artistike.
Në këto arte të aplikuara bënte pjesë edhe shkrimi, i cili ishte një art, deri sa e zëvendësoi
revolucioni teknik i shtypshkronjës. Disa dhjetëra vëllime dorëshkrime kodikësh nga Berati,
që kanë mundur t’u shpëtojnë rrebesheve të kohës e që shkojnë nga shekulli VI deri në fillim
të shekullit XV, na japin të drejtën të nxjerrim përfundimin se edhe këtu kemi të bëjmë me një
vazhdë e traditë të pandërprerë, që i përgjigjej një nevoje reale, ndonëse mjaft e kufizuar, të
një shoqërie të ngritur e të zhvilluar, në të cilën shkrimi, si mjet komunikimi kulturor, luante
padyshim një rol të rëndësishëm. Është fjala për kodikë prej lëkure të përpunuar (pergamenë),
në ndonjë rast edhe prej papiri 5 dhe së fundi, në shekujt XIV-XV, edhe prej karte. Një varg nga
këta kodikë, kryevepra të artit kaligrafik, janë pajisur me ornamente në ballë ose anës së
fletës, me vinjeta dhe iniciale dekorative; disa prej tyre përmbajnë edhe piktura në miniaturë,
me ngjyra e tipare shumë të holla e delikate, që pasurojnë fondin e veprave pikturale që
njohim në vendin tonë. Shumica e tyre nuk kanë të dhëna për kohën kur u hartuan, as edhe
për shkruesin e tyre.
Analiza paleografike e tipit të shkrimit na lejon të themi se, përveç dy kodikëve që u përmendën
në fillim, si të shekullit VI e IX, shumica e dorëshkrimeve të ruajtura nga Berati në Arkivin tonë
Qendror të Shtetit, u përkasin shekujve XI-XII dhe XIII, kur mund të supozojmë se ky qytet ka
njohur fazën e lulëzimit të tij të madh. Por arti i të shkruarit ka vazhduar në Berat edhe më
vonë, me gjithë kushtet e vështira që krijoi stuhia shkatërruese e vërshimeve osmane. Është
interesant të vemë në dukje se ndërsa, nga njëra anë, sunduesi i vendit, Teodor Muzaka,
merrte masa për të siguruar e shpëtuar “nga frika e turqve“dorëshkrimet e vyera e të lashta
të këtij qyteti, 10 vjet më vonë, më 1410, siç e thotë vetë shkruesi, me porosi e shpenzime të
“qefalisë” (sundimtarit) të qytetit, mbarohej së shkruari në Berat një kodik i ri”. Kështu, mund
të themi, kalonte stafeta nga dora në dorë.
Nuk duhet të na habisë fakti se nga përmbajtja tërësia e këtyre kodikëve beratas kanë karakter
kishtar, u shërbejnë nevojave të kishës së krishterë, janë shkruar në greqishten bizantine,
ashtu si ndjekin edhe ornamentikën dhe stilin paleografik bizantin. Ky është një fenomen
historik i natyrshëm, do të thonim, në një kohë kur monopolin e kulturës në gjithë Europën e
kishte kisha. Pikërisht për këtë arsye gjuhët e saj 6, latinishtja dhe greqishtja, ishin bërë edhe
gjuhët e kulturës universale dhe diferencimi në gjuhë kulturore nacionale duhej të çante rrugë
me luftë kundër mbisundimit të tyre. Dihet se në Shqipëri ky fenomen filloi të shfaqej në hapat
e tij të para duke filluar nga shekulli XIV.
Pavarësisht nga këto kufizime në përmbajtjen e tyre, dy kodikët më të lashtë nga dorëshkrimet
e Beratit kanë një vlerë të rëndësishme jo vetëm nga pikëpamja historike në përgjithësi, si
dëshmi të zhvillimit kulturor-shoqëror të vendit, por edhe nga pikëpamja paleografike, si
monumente të lashta të historisë së shkrimit dhe tekstologjisë, si dokumente të literaturës
paleokristiane në veçanti.
Më i rëndësishëm, duke qenë më i lashtë, është padyshim kodiku që në gjuhën e shkencës
njihet me emrin “Codex Purpureus Beratinus F“ (Kodiku i Purpurt nga Berati); gërma e
ndajshtuar përcakton radhën që zë ai në vargun e dorëshkrimeve më të lashta të ruajtura të
“Testamentit të Ri” kristian. Kodiku në fjalë, në formën që arriti deri në ditët tona, kishte 190
fletë pergamene, të ngjyera në të kuq të thellë (purpur); ai ishte shkruar me gërma argjendi të
tretur, me përjashtim të disa faqeve, ku disa fjalë janë shkruar me ar. Gërmat janë të tipit
kuadrat, unciale majuskule. Shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Formati
i fletëve është 314 x 268 milimetra. Analiza e gërmave dhe krahasimi me tekstet e pakta të
ruajtura të këtij tipi, i ka shtyrë shkencëtarët t’i caktojnë Kodikut të Purpurt të Beratit shekullin
VI si kohë lindjeje.
Kodiku i dytë nga Berati, që na intereson në këtë mes, njihet në shkencë me emrin “Codex
Aureus Anthimi“ (Kodiku i Artë), i mbiquajtur kështu sipas emrit të një peshkopi të Beratit në
shekullin XIX 7. Siç e thotë edhe emri, ky kodik ishte shkruar mbi pergamenë me gërma ari të
tretur dhe përbën, për këtë arsye, gjithashtu një realitet 8, ndonëse si kohë hartimi, analiza
paleografike i cakton një epokë më të re, shekullin IX. Si vëllim, Kodiku i Artë është shumë më
i madh, ka 413 fletë në format 24 x 19 cm dhe është shkruar me gërma të një tipi më të ri, të
rrumbullaktë e me bishta, të quajtur korsiv minuskul. Kodiku ka një ornamentikë mjaft të
pasur dhe 4 miniatura. Nga pikëpamja tekstologjike, teksti i kodikut të artë nuk paraqet ndonjë
interes, ai është teksti tani i fiksuar i Testamentit të Ri.
Ekzemplarë të shkrimit në argjend e ar janë shumë të rrallë. Në mesjetë arti i shkrimit përjetoi
një të tatëpjetë të përgjithshme, që shpjegohet me ndryshimet e rëndësishme ekonomikoshoqërore
që vihen re lidhur me rënien e shoqërisë së vjetër skllavopronare, ndërsa formacioni
i ri social-ekonomik që po lindte, karakterizohej në këtë periudhë nga një primitivitet mjaft i
theksuar. Lidhur me këtë u ngushtua mjaft përdorimi i shkrimit, kaq i përhapur në kohë antike.
Tiparet e gërmave dhe arti e teknika e shkrimit në përgjithësi karakterizohen nga një lloj
“barbarizimi“. Në këto kushte, ruajtja dhe përdorimi i artit të shkrimit në një lartësi teknike të
tillë, siç e dëshmojnë kodikët tanë beratas të shekujve VI dhe IX, dëshmon për vazhdimësinë
e traditës së antikës dhe për një nivel të lartë kulturor që ruajtën disa vende të Europës
Juglindore, midis tyre edhe vendi ynë, në rrethanat e një tatëpjete të përgjithshme që përfshiu
Europën Perëndimore 9.
Porse, veç kësaj rëndësie si monumente të historisë së shkrimit e të kulturës, nuk mund të
lihet pas dore edhe rëndësia e një karakteri tjetër e Kodikut të Purpurt të Beratit. Shkenca
përparimtare botërore është e interesuar prej kohësh të studiojë historinë e formimit të tekstit
të të ashtuquajturave “shkrime të shenjta“ të kristianizimit 10. Kundrejt përpjekjeve të kishës
për t’i deklaruar këto si “tabu“, si të paprekshme, të lindura të gatshme nga “frymëzimi hyjnor“
dhe prandaj jashtë kompetencës së arsyes njerëzore, shkenca përparimtare, në luftë të
ashpër kundër autoritetit kishtar, ka krijuar një degë shkencore të tërë, të quajtur “kritikë
tekstologjike e Biblës“, për të vërtetuar historinë e formimit gradual të saj. Është e qartë se
për të përcaktuar sa më afër e më saktë tekstin fillestar të Biblës, duhet të njihen së pari
variantet e saj më të vjetra; me anë të krahasimit të tyre mund të nxirren në shesh grupet e
familjet kryesore të këtyre varianteve dhe mund të hidhet dritë mbi rrugën e formimit historik
të këtij teksti themelor të kristianizmit. Një analizë paraprake lejon të thuhet se Kodiku i Purpurt
i Beratit ka disa lexime teksti që janë të veçanta për të; në formimin e tekstit të tij kanë
kontribuar tradita të ndryshme, që lidhen edhe me Lindjen, me Sirinë, edhe me Perëndimin.
Kuptohet, prandaj, përse shkenca vazhdon të interesohet për Kodikun e Purpurt të Beratit, si
një nga variantet më të lashtë të tekstit të Testamentit të Ri. Në një botim shkencor, teksti i
dhënë nga Kodiku i Purpurt i Beratit duhet patur domosdo parasysh.
Është kjo arsyeja që bota shkencore shqiptare dhe në përgjithësi shkenca ndërkombëtare, u
janë mirënjohës institucioneve të Akademisë së Shkencave të RP të Kinës, që mundën të
shpëtonin nga vdekja e sigurt dy kodikët e vyer të Beratit. Të fshehur gjatë Luftës së Dytë
Botërore, dy kodikët mbetën për më se 20 vjet në qimitirin e lagur të një kishe të Beratit, ku u
gjetën, më në fund, pas kërkimesh këmbëngulëse, për t’i siguruar tani përfundimisht për
shkencën e kulturën tonë.
Na pëlqen të tregojmë, me këtë rast, se si nganjëherë historia përsëritet. Peripecitë e vuajtjet
që pësuan gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore kodikët tanë beratas nuk i pësuan për të
parën herë. Shënimet kronikale të ruajtura në disa dorëshkrime të tjera, gjithashtu me
prejardhje nga Berati, tregojnë se edhe në vitin 1356 edhe në vitin 1400 kodikët e ruajtur në
këtë qytet u detyruan të merrnin rrugët për të gjetur strehim e për t’u fshehur nga rreziku i
ushtrive të huaja që po i kanoseshin qytetit. Me këtë rast, shkruesit e këtyre shënimeve kanë
rreshtuar emrat e kodikëve të vyer, që ata u kujdesën t’i “evakuonin“ dhe nuk çuditemi që
midis tyre, pranë kodikëve që ndërkohë kanë humbur, figuron edhe Beratasi ynë i Purpurt me
gërma të argjendta. Edhe diçka më tepër: edhe në këto kohëra të lashta kishte njerëz patriotë,
që i donin dhe dinin t’i çmonin librat. Shënimi na thotë se më 1356, dy vetë ngarkuan mbi
shpatullat e tyre 27 kodikë dhe i shpëtuan duke i çuar në një vend të sigurt. Nga mirënjohja,
na jepet dhe emri i këtij patrioti beratas të shekullit XIV, të quajtur Skuripeqi. Tradita e
Skuripeqëve nuk u shua në Berat. Gjatë luftës nacionalçlirimtare, qytetarë beratas u qëndruan
me rrezik jete nazistëve që kërkonin të grabitnin dorëshkrimet e ruajtura. Më në fund, meriton
të përmendet patrioti plak Nasi Papapavli, i cili mori pjesë aktive në gjurmimin e kodikëve të
humbur.
Shënime të redaksisë:
1. Botuar për herë të parë në të përditshmen “Zëri i popullit”, 28 janar 1972. Ribotohet me ndonjë
shkurtim të vogël.
2. Në kuptimin “tituj”, “vepra”, “dorëshkrime”.
3. Nënkupto: „tek shqiptarët“ (fjalë që mungojnë në tekstin e autorit).
4. Me kuptimin „laike“.
5. Në Fondin 488 nuk ka dorëshkrime në “papir” a “papirus”, por kjo nuk e përjashton ekzistencën e tyre
më herët.
6. Gjuhët kishtare, gjuhët e liturgjisë.
7. Eshtë fjala për Anthim Aleksudhin, që shkroi i pari për kodikët e Beratit. Për nder të tij Batiffoli e
quajti këtë kodik me emrin e mitropolitit.
8. Siç është në tekst. Por duhet të jetë radhitje e gabuar e fjalës „raritet“, „gjë e rrallë, e jashtëzakonshme“.
9. U ruajt ky vlerësim i diskutueshëm i autorit, për të respektuar frymën e kohës.
10. Shih shënimin 9.

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]