Thomai

(greqisht: Θωμάς) person biblik Thomai Apostulli i shenjtë Thoma, i quajtur edhe binjak, lindi në Jude nga prindër të varfër. Sapo Krishti u shfaq dhe e ftoi ta ndiqte, Thomai la barkën dhe rrjetat dhe u bë një prej të dymbëdhjetëve. Megjithëse u përndoq, u poshtërua dhe u godit shumë herë me gurë nga judejtë, ai e ndoqi kudo Zotin me zell të madh. Kur Krishti shkonte në Jerusalem për t’u flijuar, Thomai u tha apostujve: “Të shkojmë dhe ne që të vdesim me të”. Pasi mundi vdekjen me ngjalljen e tij, shpëtimtari i botës iu shfaq dishepujve të cilët ishin mbyllur në një shtëpi në Jerusalem nga frika e judejve. Kur ai u tregoi shenjat e plagëve të tij mbi trup, ata u mbushën plot gëzim sepse e njohën atë. Nga një vendim hyjnor, Thomai nuk ndodhej me të tjerët atë moment. Kur dishepujt i thanë se kishin parë Zotin e ngjallur ai nuk i besoi. Por Zoti iu shfaq përsëri Apostujve pas një jave dhe e ftoi Thomain të prekte duart dhe brinjën e tij për t’u bindur që ai ishte ngjallur me të vërtetë trupërisht. Ai e qortoi Thomanë që ishte treguar besëpak. Thomai ishte me apostujt në ditën e Pendikostisë, kur Shpirti i Shenjtë zbriti në kokat e tyre në formë gjuhësh flakëruese. Ai shkoi për të përhapur ungjillin në krahinat e largëta të Iranit të sotëm dhe të Indisë.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]