TIMARI
✤ Lloj i feudit osman i ngritur mbi pronësinë feudale shtetërore mbi tokën (mirie, shih) me të ardhura vjetore deri në 20,000 akçe. T. përfshinte vendbanime, truallishte, toka të punueshme e djerr, si dhe fshatarët raja të krishterë e myslimanë të ngarkuar me detyrime feudale. Feudali i T. që quhej spahi (shih), konsiderohej zotërues i tokës dhe i fshatarit raja. Atij i jepej e drejta të vilte të dhjetën e të ardhurave të tokës dhe taksat e rajallëkut (ispenxhe, taksa e çiftit etj.). Fshatarësia raja e T. kundrejt shlyerjes së detyrimeve të mësipërme gëzonte të drejtën e përdorimit të tokës brez pas brezi në vijë mashkullore. Zotërimi i T. ishte i kushtëzuar me kryerjen e shërbimeve në administratën shtetërore, qendrore e lokale e kryesisht në ushtri, prandaj përbënte burimin kryesor të rekrutimit të forcave luftarake feudale të perandorisë.
Sistemi i T. u zbatua gjerësisht në trevat shqiptare. Numri i T. të krijuara në viset shqiptare u rrit nga shek. XV në shek. XVI. Më 1431 në krahinat e Shqipërisë Jugore e Qendrore kishte 454 timare, në gjithë tokat shqiptare në vitet 30 të shek. XVI kishte 1472 dhe në fund të këtij shekulli 2043 T. Regjimi i T. nuk u shtri në krahinat malore të Mbishkodrës, të Dukagjinit dhe të Kurveleshit, të cilat ruajtën vetëqeverisjen në bazë të kanuneve tradicionale. Sistemi i T. lulëzoi në tokat shqiptare gjatë shek. XVI. Pas kësaj kohe, me lindjen dhe zgjerimin e çifligjeve (shih) filloi periudha e shthurjes së tij. U hoq në vitet 30 të shek. XIX me reformat e Tanzimatit. (S. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Timari