TIVARI
✤ (Antibarum). Qytet mesjetar, me origjinë antike, në kufijtë veriorë të trevave shqiptare në
bregdetin adriatik. Fillimisht nën sundimin bizantin, kaloi në fund të shek. XII nën mbretërinë serbe, prej 1360 qe me një ndërprerje të shkurtër, pjesë e principatës së Balshajve deri më 1421 kur kaloi nën sundimin venedikas. T. mesjetar pati një pozitë të rëndësishme kishëtare e tregtare. Që nga viti 1077 u bë qendër e kryepeshkopatës katolike prej së cilës vareshin 9 peshkopatat e Shqipërisë së V, këtu mbaronin një varg rrugësh tregtare që e lidhnin T. me viset e brendshme e mbaronin në Pejë e Prizren. Këtu vepronin tregtarë vendës dhe të huaj, venedikas, raguzanë, nga Pulja, grekë etj. Më vonë në shek. XVIII qe një nga skelat kryesore të Pashallëkut të Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve. T. ishte organizuar si komunë qytetare që i jepte kryezotit feudal vetëm «akrostikun» (taksën themelore të tokës), kurse gëzonte të drejtën e administratës autonome, e cila u përforcua sidomos pas rënies së mbretërisë serbe; kishte organet e veta politike, legjislative e gjyqësore, stemën, vulën, priste monedhat e veta. Deri më 1372, organi epror ishte kuvendi i popullit; mandej pushteti kaloi në duart e aristokracisë aytetare dhe komuna e T. u bë shesh i një lufte të ashpër politike, deri sa u krijuan dy këshilla që merrnin vendime për të njëjtën çështje njëri pas tjetrit; ai i fisnikëve dhe ai i popullorëve. Më 1517 Tivari iu dorëzua nga Venediku osmanëve dhe më 1877, pas një rrethimi të rëndë, u pushtua nga Mali i Zi. (P. B.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tivari