Tkurrja e muskujve
Si punon një muskul. Të gjitha lëvizjet e trupit tonë mbështeten në një dukuri të thjeshtë: te tkurrja e muskujve. Në fakt muskujt kanë vetinë të tkurren dhe rrjedhimisht të zvogëlojnë gjatësinë e tyre: pikërisht kjo shkakton lëvizjen e një kocke ndaj një tjetre, p.sh. lëvizjen e duarve, të gjymtyrëve, të kokës etj. Një muskul tkurret kur tek ai vjen një urdhër, një ngacmim nervor nga truri. Tkurrja ndodh atëherë kur ngacmimi nervor arrin një intensitet, një madhësi të caktuar. Sa më i lartë të jetë intensiteti, aq më e fuqishme është edhe tkurrja e muskulit, sepse, kur intensiteti është i lartë, tkurren më shumë inde muskulore. Kur ngacmimi nervor pushon, muskuli shtrihet, kthehet përsëri në vendndodhjen e tij të mëparshme.
Muskujt nuk mund të shtyjnë, ato vetëm mund të tërheqin. Për të përkulur parakrahun, muskujt që ndodhen në faqen e brendshme të krahut duhet të tkurren; për ta shtrirë atë tkurren muskujt që ndodhen në anën e jashtme të krahut. Këto grupe muskujsh, të brendshëm dhe të jashtëm, quhen muskuj antagonistë (kundërshtarë). Kur një nga këto grupe muskujsh punon, zakonisht grupi tjetër qëndron në qetësi. Disa muskuj duhet të kryejnë lëvizje rrotulluese. Në këtë rast muskuj: kapen në kockë në mënyrë të tërthortë kështu që, kur tkurren, e detyrojnë atë të rrotullohet.