Toka që ngrihen

Në disa zona ngritja e truallit ka qenë aq e shpejtë sa ka pasur mundësi të vihet re nga njerëzit. Për qindra vjet popujt që jetonin në brigjet e detit Baltik, në Finlandë dhe në Suedi, e kanë parë ndryshimin e nivelit të detit . Ata më pleqtë kujtojnë kohët kur disa prej ishujve të vegjël, që sot kanë dalë mbi ujë, kanë qenë nën nivelin e detit. Fshatarët që i kanë arat qindra metra mbi nivelin e detit, gjejnë guaska moluskësh të përziera me dhe. Në disa vende, gjatë bregdeteve, ka tarraca të gdhendura nga valët në lartësi deri 300 metra mbi nivelin e detit. Shkaku i ngritjeve në këto vende është ndoshta zmbrapsja e akullnajave që mbulonin zonën deri para 10.000 vjetësh, atëherë kur njeriu primitiv gjuante akoma drerë në Evropën Qendrore. Kur balli i akullnajës u zmbraps drejt veriut duke shkrirë dalëngadalë, trualli u çlirua nga një peshë e tmerrshme; pak nga pak ai u ngrit dhe ende vazhdon të ngrihet me rreth një metër në vit, megjithëse akullnajat tashmë janë larg.

Edhe bregu i Kalifornisë në Amerikë tregon shenja ngritjeje, Gjatë pjesës jugore vihen re tarraca të lashta, të gdhendura nga valët e detit, në lartësi më se 400 metra mbi nivelin e detit. Lartësia e tyre tregon që kjo zonë është ngritur nga një varg lëvizjesh deri-diku të shpejta, me përmasa të ndryshme dhe në pika të ndryshme. Llogaritja e masës së ngritjes së bregut është mjaft e ndërlikuar. Për shembull, shkrirja e akullnajave në 10.000 vjetët e fundit ka shkaktuar ngritjen e nivelit të detit, mbase deri në njëqind metra. Nga ana tjetër, zbulimi i fosileve tregon që para periudhave të fundit akullnajore, niveli i detit ishte 200 metra më i lartë se ai i sotmi. Ky ndryshim i madh i detyrohet, të paktën pjesërisht, lëvizjeve të kores së Tokës.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]