TOKAT E KRIPURA
✤ Toka në shtresat e sipërme të të cilave ose në thellësi ndodhen sasi të konsiderueshme të kripërave minerale të tretshme në ujë, sidomos ato të natriumit. Këto kripëra pengojnë rritjen e bimësisë së zakonshme, por në to zhvillohen bimë halofite (që i qëndrojnë përqendrimit të lartë të kripërave). Sipas përmbajtjes së kripërave tokat klasifikohen: 1) Toka jo të kripura, ku përmbajtja e kripërave në shtresën e sipërme prej 1 m është jo më shumë se 0,2%; 2) Toka pak të kripura, që përmbajnë 0.2°/o-0.5°/o kripëra; 3) Toka të kripura, të cilat përmbajnë mbi 0,5% kripëra. Në Shqipëri gjenden T. të K. në Ultësirën Bregdetare kryesisht në Lezhë, Krujë, Durrës, Lushnjë, Fier dhe Vlorë. Përmbajtja e kripërave lëviz nga 0.3-3% e nganjëherë deri 16% të tokës; më të shpeshta janë kloruret.
Me zbatimin e masave përmirësuese T. e K. janë pakësuar mjaft. Masat përmirësuese janë ulja e nivelit të ujërave nëntokësore me anën e kanalizimeve, vijave kulluese, drenazhimit etj.; shkrifërimi i vazhdueshëm e i thellë i tyre për të rritur përshkueshmërinë e ujit i cili duhet të tresë e të largojë kripërat e dëmshme; përdorimi i gjipsit, i cili krijon kushte për largimin e kripërave të natriumit; përdorimi i dozave të larta të plehrave organike mbi 500kv/ha, dhe i dozave të studiuara të plehrave minerale, shpëlarja me ujitje, etj.
(A. Da.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tokat E Kripura
[cite]