TOMORI
✤ Një nga malet më të larta e më të njohura të Shqipërisë në kufirin midis rrethit të Beratit, Skraparit dhe’ pjesërisht Gramshit me lartësinë më të madhe 2416 m (Çuka Partizani) me gjatësi 19 km dhe gjerësi 6 km. Në J qafa e Kulmakës (1473 m) e ndan nga mali i Kulmakës. Dallohet për lartësinë e madhe relative ndaj trevës përreth dhe nga majat e shumta mbi 2000 m. Përbëhet kryesisht nga gëlqerorë e nga flishi që formojnë një rrudhë antiklinale asimetrike me krah P shumë të pjerrët e të copëtuar nga lëvizjet tektonike, sidomos nga ngritjet e fuqishme neotektonike të cilat i kanë dhënë T. lartësinë e madhe që ka sot.
Relievi i T. është i ashpër, me maja të mprehta e të dhëmbëzuara, rrëpira e gremina qindra metra të thella. Në reliev vërehen edhe gjurmë të shumta të akullimeve të kuatemarit në lartësitë mbi 1700-1800 m, në trajtën e eirqeve, morenave etj. (sidomos në shpatin L). Në kurrizin e T. ka edhe shumë sipërfaqe të sheshta të përpunuara nga karsti. Majat më të larta të T. mbulohen me borë nga fillimi i vjeshtës e deri në verën e vonët. Nga këmbët e T. dalin burime të shumta e të fuqishme karstike (Sotirë, Kërpieë, Ujanik Kapinovë, Bogovë etj.), disa prej të cilave shfrytëzohen për HEC-e (Kërpicë).
T. dallohet për zonalitetin vertikal të bimësisë, i shprehur shumë qartë: zona e makjeve mesdhetare (deri 600-700 m), zona e ahut (deri në 1700-1800 m), zona e rrobullit (deri në 2000 m). Në lartësinë 1800-2200 m), ka edhe shumë livadhe alpine (verore). Ndër kafshët e egra takohen derri i egër dhe kaprolli (për të cilët ka një rezervat në Bogovë), si dhe dhia e egër.
T. me lartësinë e madhështinë e tij ka ndikuar në mitologjinë, në krijimtarinë popullore e në letërsinë artistike shqiptare («Baba Tomori»). Autorët antikë (Plini i Ri, Teopompi, etj.), e përmendin me emrin Tomerum ose Talar së bashku me «njëqind burimet që gurgullojnë në këmbët e tij». Sot është qendër e ushtrimit të sporteve dimërore dhe alpinizmit (Kampi i Kapinovës). Në majën e T. në lartësinë rreth 2350 m është ngritur një stacion meterologjik, më i larti i vendit.
(N. M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tomori