TOMORICA
✤ Krahinë gjeografike-etnografike në Shqipërinë J, midis malit të Tomorit, Kuimakës dhe kodrave të Sulovës në P, dhe malit të Koshnicës (Dusharit) dhe atij të Ostrovicës në L dhe JL. Bën pjesë në rrethin e Skraparit (pjesa J) dhe të Gramshit (pjesa V). Nga ana gjeografike T. formon një luginë të gjerëv që përshkohet nga lumi i Tomoricës (shih). Përbëhet tërësisht nga shkëmbinj flishorë të butë e të gërryeshëm lehtë. Relievi i T. është kodrinor, shumë i thyer nga një numër i madh përrenjsh, përroskash e brazdash gërryerjeje në zhvillim e sipër.
Për të parandaluar përmbytjet e lumit të T. janë ngritur një radhë pritash e argjinaturash në përrenjtë malorë dhe janë bërë pyllëzime në shtratin dhe pellgun e tij. Rriten kryesisht bimë të makjeve mesdhetare, por edhe pisha. T. është e popuiluar dendur. Qendrat e shumta të banuara janë vendosur në të dy anët e luginës, në kodrat e shpatet e ulëta të maleve që e rrethojnë. Tokat e pakëta bujqësore gjenden në brezaret lumore. Për shtimin e tyre po bëhen punime të shumta për mbrojtjen e shpatave nga gërryerja. Kulturat kryesore janë drithërat e bukës (grurë,
misër), perimet e drurët frutorë të mbjella në blloqe të mëdha (përmendet blloku i madh i Gjerbësit). Fshatrat kryesore janë: Gjerbësi, Dobrenja, Zhepa, Kushova, Bletëza, Vidhani, Barçi, Kërpica, Sotira etj.
(N. M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tomorica