TRAKISHTJA
✤ Gjuha e trakasve; gjuhë indoevropiane që flitej në periudhën antike në L të Gadishullit të Ballkanit. Prej saj sot njihen disa emra vendesh, të mbledhur në viset e banuara dikur prej trakasve, emra njerëzish e fisesh disa glosa, si edhe disa emra bimësh mjekësore, të mbledhura te fisi i dakëve në shek. I e.r. nga mjeku grek Dioskorides. Nga T. kemi gjithashtu disa mbishkrime të gjetura në Rumani dhe në Bullgari pranë qytetit Plovdiv. E një trungu me T. mbahet edhe gjuha e frigasve, që banonin në lashtësi në Azi të Vogël, nga e cila kanë mbetur disa glo’sa dhe disa mbishkrime. Kohët e fundit është vënë në dyshim nga ndonjë studiues karakteri unitar i trakishtes dhe është veçuar prej saj si gjuhë më vete dakishtja. Disa nga studiuesit e T. janë përpjekur të gjejnë përkime e të vendosin lidhje midis T. dhe shqipes dhe mbi këtë bazë kanë formuluar tezën e origjinës trake të shqipes në kundërshtim me tezën e origjinës ilire të saj. Teza e origjinës trake të shqipes është kundërshtuar me argumente bindëse historike e gjuhësore nga një varg studiuesish shqiptarë dhe të huaj. Asaj i mungon baza historike. Disa përkime që janë vënë re ndërmjet T. dhe shqipes nuk shpjegohen me lidhjen gjenetike të tyre, por me kontaktet e trakasve me të parët e shqiptarëve, ilirët dhe me afrinë e T. me ilirishten.
(S.M.—E.Pa.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Trakishtja
[cite]