TRAKTATI I FËSLAUT


TRAKTATI I FËSLAUT
✤ (Voslau, 26.8.1867). Traktat i fshehtë i lidhur midis Serbisë e Greqisë në Fëslau (afër Vjenës). Traktati parashikonte fillimin e luftës kundër Turqisë, në mbarim të së cilës Serbia do të merrte Bosnjë-Hercegovinën, kurse Greqia Tesalinë dhe Epirin.

Në vështrim të luftës kundër Turqisë palët nuk lanë pa përmendur rëndësinë e Shqipërisë dhe rolin e shqiptarëve, pozita e të cilëve konsiderohej si thelbësore për shkak se zinin krahinat që ndanin pjesët greke e serbe të Turqisë Evropiane. Veçanërisht në konventën ushtarake greko-serbe

të 28 shkurtit 1868, që u lidh në vijim e zbatim të Traktatit bëhej fjalë shprehimisht për «kontributin e Shqipërisë» në planet e luftës antiturke. Mirëpo në T. e F. mbizotëronte prirja drejt shtrirjes territoriale jo vetëm për të bashkuar atë pjesë të popullsisë serbe e greke që ndodhej ende nën zgjedhën turke, por edhe për të përvetësuar toka të të tjerëve në radhë të parë ato shqiptare. Në bisedimet që i kishin paraprirë lidhjes së Traktatit, Serbia kishte kërkuar për vete veç Kosovës (e ashtuquajtura Serbi e Vjetër) edhe Shqipërinë Veriore, ndërsa Greqia, veç Maqedonisë, donte të merrte edhe Epirin ku përfshihej edhe Shqipëria Jugore.

(A. Pu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Traktati I Fëslaut


[cite]