TRAKTATI I GAETËS


TRAKTATI I GAETËS
✤ (1451). Marrëveshje aleance midis Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Alfonsit I mbret i Aragonës dhe Napolit. U nënshkrua nga përfaqësuesit e palëve në qytetin e Gaetës (Itali) më 26.3.1451. Në bazë të këtij traktati Alfonsi I merrte përsipër t’i jepte Skënderbeut ndihmë ushtarake e financiare për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga pushtimi osman. Ai do të respektonte privilegjet që gëzonte gjithë Arbëria dhe do të njihte Skënderbeun si zot të tokave që do të çliroheshin me përpjekjet e përbashkëta nga sundimi osman, kurse pala shqiptare do ta njihte Alfonsin, sipas zakonit mesjetar, sikryezot, pasi ai të kishte dërguar në Shqipëri ndihma efektive kundër osmanëve. Traktati ishte një hap taktik i Skënderbeut për ta tërhequr mbretërinë e Napolit në luftë. Por ndihma e dhënë nga Alfonsi ishte krejt e pamjaftueshme dhe mbeti e tillë, prandaj Skënderbeu nga ana e, tij nuk i dërgoi Alfonsit asnjë tribut dhe nuk bëri betimin e besnikërisë kundrejt tij, siç caktohej në traktat. Marrëdhëniet qëndruan kështu në shkallën e një aleance të thjeshtë, që mbeti në fakt në letër, duke qenë se Alfonsi, pas betejës së Beratit (shih) më 1455, nuk desh të angazhohej në një luftë që kërkonte mjete e forca të mëdha

(A. Lu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Traktati I Gaetës


[cite]