TRANSPORTI


TRANSPORTI
✤ Shërbim i organizuar për lëvizjen e udhëtarëve e të mallrave brenda qendrave të banuara e midis tyre. Përfshin disa lloje, si T. automobilistik, T. detar, T. hekurudhor etj., që përbëjnë një sistem unik, zhvillohen dhe plotësojnë njëri tjetrin në bazë të planeve të zhvillimit ekonomik të vendit.

Në trevat shqiptare qysh në kohët e lashta u zhvillua T. detar (shih) dhe ai tokësor me karvane me kafshë, karro e qerre, u ndërtuan rrugët e para, disa nga të cilat si Rruga Egnatia (shih) ishin mjaft të njohura. Këto dy lloje tradicionale të T. mbetën për një kohë të gjatë të vetmet. Në vitet 20 të shek. XX filloi të zhvillohet edhe T. automobilistik (shih), i cili deri para Çlirimit nuk pati zhvillim të madh. Pas Çlirimit, krahas rindërtimit të urave e rrugëve të dëmtuara nga lufta, u morën masa për ndreqjen dhe rivënien në punë të mjeteve të T. automobilistik e detar. Më 1945 filloi të organizohet T. automobilistik dhe T. detar shtetëror. Më 1947 nisi ndërtimi i hekurudhave dhe filloi T. hekurudhor (shih).

Terreni malor i vendit diktoi për një kohë zhvillimin me ritme të shpejta të T. automobilistik, u zgjerua dhe u përmirësua rrjeti rrugor. Megjithatë shtimi i vijave hekurudhore bëri që të rritet vazhdimisht T. hekurudhor. U rrit dhe u pajis me anije të tonazhit të mesëm e të madh flota tregtare detare dhe u zhvillua T. detar, u bënë ndërtime të rëndësishme për zgjerimin e porteve detare dhe u rrit shkalla e mekanizimit të ngarkimit e shkarkimit të mallrave në to. U zhvillua T. ndërkombëtar, sidomos i mallrave, nëpërmjet T. detar e atij automobilistik dhe do të fillojë edhe T. hekurudhor ndërkombëtar. Nëpërmjet Shërbimit ajror (shih) bëhet edhe T. ndërkombëtar, sidomos i udhëtarëve.

Është zhvilluar edhe industria mekanike e T., e cila kryen tërë riparimet e mjeteve të T. dhe prodhon mjete të reja të T. detar (anije të llojeve të ndryshme), T. automobilistik (sidomos autobusë) dhe T. hekurudhor (sidomos vagona mallrash e udhëtarësh). Është përpunuar legjislacioni për llojet e ndryshme të T., sidomos rregulloret e veçanta të qarkullimit rrugor, hekurudhor e detar.

Në organizimin, drejtimin dhe zhvillimin e T. kanë dhënë ndihmesë Milo Qirko, Luan Babameto, Marko Karoli, Sali Verdha etj.

Në v. 1983 lëvizja e përgjithshme e mallrave me mjetet e transportit tokësor e detar të brendshëm arriti 1946 milionë tonë/km, duke u rritur mbi 4.8 herë kundrejt v. 1960. Ndërmjet qyteteve iëvizën 40.152.000 udhëtarë, rreth 7.4 herë më shumë se më 1960.

(P. Ça.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Transporti


[cite]