TRANSPORTI AUTOMOBILISTIK


TRANSPORTI AUTOMOBILISTIK
✤ Lloji i transportit të udhëtarëve dhe mallrave me automjete. Automobili i parë ka ardhur në Shqipëri gjatë Luftës I Botërore. Më vonë sipërmarrës të ndryshëm sollën nga jashtë një sasi të vogël automjetesh për transportim mallrash si dhe disa autobusë të vegjël për udhëtarë. Pas Çlirimit u organizua T. A. shtetëror, sidomos me ngritjen e ATASH, që më 1945, me rreth 142 kamionë dhe disa vetura e autobusë.

Kushtet e relievit të vendit, mungesa e transportit hekurudhor dhe detar në vitet e para pas Çlirimit diktuan edhe nevojën e zhvillimit më të shpejtë të T. A. Që më 1947 u morën masat për shtimin e mjeteve të transportit, u krijua ofiçina e parë e riparimit të automjeteve në Tiranë dhe filloi prodhimi i pjesëve të këmbimit për to nga Uzina «Enver» (shih). Në vitet 50 u forcuan ofiçinat e riparimit të automjeteve në Shkodër, Korçë, Vlorë, Sarandë, u rritën dhe u forcuan me automjete të reja e të shumta ndërmarrjet e T. A. duke krijuar parqe në Durrës, Elbasan, Vlorë e Sarandë. Në vitet 60 T. A. mori zhvillim më të madh. Më 1962 u krijuan edhe Ofiçina e automjeteve në Shkodër (shih). Shtimi i numrit të automjeteve, përqendrimi dhe rajonizimi i prodhimit ndikuan edhe në shtimin e mëtejshëm të ndërmarrjeve të T. A. U ngritën parqe automobilistike (shih) të reja në Laç, Përrenjas, Fier, Kukës etj. si dhe disa parqe automobilistike të veçanta në varësi të dikastereve të ndryshme. Në vitet 70 fuqizimi i transportit hekurudhor dhe detar si dhe kufizimi i lëvizjes së shumë mallrave paralel me rrjetin hekurudhor, diktoi përqendrimin dhe specializimin e ndërmarrjeve të T. A. Shtimi i nxjerrjes së mineraleve të dobishme në rrethet e Veriut, ndërtimi i hekurudhës Lezhë-Shkodër, kërkoi edhe fuqizimin e ndërmarrjeve të T. A. Në të njëjtën kohë u ngritën parqe automobilistike në Kolonjë, Skrapar, Gramsh, Lezhë e Përmet, u organizua më mirë transportimi i mallrave me pakicë me anë të spedicionit.

Më 1982 në krahasim me vitin 1960 lëvizja e mallrave me T. A. u rrit 7,3 herë. Megjithatë ndërtimi i linjave të reja hekurudhore e ndërtimi i shumë objekteve industriale pranë burimit,të furnizimit të tyre, kanë çuar drejt uljes së largësisë mesatare të transportit të -mallrave me T. A. dhe bashkërendimit më të mirë të tij me transportin hëkurudhor. Vëllimi i përgjithshëm i lëvizjes së mallrave më 1985 kundrejt v. 1980 do të rritet në ton/kilometra 34-36%. Në zhvillimin e T. A. kanë dhënë ndihmesë Thoma Kromidha, Mentor Zeraliu etj. Vendimet e Plenumit të 5-të të KQ të PPSH (1982) dhe detyrat që ai caktoi në fushën e transportit i dhanë një shtytje të mëtejshme edhe zhvillimit të T.A.

(Q.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Transporti Automobilistik


[cite]