TREGIMI
✤ Lloj i shkurtër i rrëfimit epik, ku nëpërmjet të një episodi zhvillohet një anë e karakterit të personazhit. Në letërsinë shqiptare T. nisi të zhvillohej në fund të shek. XIX. Veprat e para në këtë lloj janë tregime me karakter moral didaskalik, si «Gjahu i malësorëve® (1884) i K. Kristoforidhit, tregimet e përshtatjet e N. Frashërit, S. Frashërit etj. Në çerekun e parë të shek. XX forcohen tiparet e T. si lloji i prozës së shkurtër; rritet në të roli i subjektit si mjet për pasqyrimin e personazhit, rrëfimi bëhet më i zhdërvjelltë. Ndër autorët që e lëvruan T. ishin M. S. Gurra, K. Mirdita etj. Megjithë përparimet në T. shqiptar të kësaj periudhe mbisundojnë fryma naive, notat sentimentaliste e melodramatike etj. Pjekurinë e vet. T. shqiptar e arriti në vitet 20 e sidomos në vitet 30. Në zhvillimin e mëtejshëm të T. rol të rëndësishëm luajtën Migjeni dhe M.Kuteli, që sollën elemente të reja si në brendi, ashtu edhe në strukturë e në mjetet shprehëse. Pasqyrimi me mjete të kursyera artistike i njeriut dhe i lidhjeve të tij me mjedisin shoqëror, shkurtësia, psikologjizmi, imtësitë e goditura paraqitëse janë tiparet e tregimeve realiste të Migjenit («Legjenda e misrit», «Moll’ e ndalueme», «Të çelen arkapijat» etj.). M. Kuteli u shqua si mjeshtër i tregimit të stilizuar në frymën e rrëfenjave popullore, ku rol të rëndësishëm luan autori që shfaqet si pjesëmarrës ose dëshmitar i ngjarjes — «Netë shqiptare» (1938), «Ago Jakupi e të tjera rrëfime» (1943) etj. Në vitet 30 T. u lëvrua edhe nga shkrimtarë antipopullorë, veprat e të cilëve dallohen nga fryma reaksionare, synimi për të fshehur kontradiktat e jetës, nga tema të vogla etj.

Pas Çlirimit T. shqiptar mori zhvillim të hovshëm; atë e shquan larmia e temave, e subjekteve dhe e mënyrave të të shkruarit. Faza e parë gjysma e viteve 40 dhe 50 është ajo e forcimit të tij artistik. Një pjesë e mirë e tregimeve iu kushtuan pasqyrimit të ngjarjeve të Luftës ANÇ dhe hapave të parë në ndërtimin e jetës socialiste; karakteri dokumentar, përshkrimi me disa viza i heronjve, subjekti i thjeshtë janë veçoritë dalluese të T. të kësaj periudhe. Në këtë kohë u shkruan edhe një varg T. që shquhen nga pasqyrimi i thellë i jetës, përgjithësimet e rëndësishme artistike, skalitja me mjeshtëri e figurës së personazheve, gjuha e pasur dhe shprehëse («Dyshimet e Jonuz Ranxhës», «Zot e rob», «Ditët e sprasme të Gjergj Golemit» etj. të Dh. S. Shuteriqit, «Kurorat e Mashar beut», «Leks Kapedani* të J. Xoxës etj.).

Vitet 60-70 janë periudha kur T. shqiptar arrin pjekurinë e tij artistike, gjë që shfaqet në zgjerimin e tematikës, rritjen e mjeshtërisë artistike, në prirjen për.të dhënë në thellësi mendimet dhe ndjenjat njerëzore, në larminë e individualiteteve krijuese. Krahas autorëve më me përvojë dallohen edhe një varg penash të reja. Në qendër të vëmendjes së tregimtarëve vijon të jetë Lufta ANÇ. Veprat me këtë temë shquhen për pasqyrimin e anëve dhe të konflikteve të patrajtuara më parë; krahas veprave heroike, u paraqitën konflikte psikologjike në ndërgjegjen e përfaqësuesve të shtresave të ndryshme shoqërore, roli i madh i lëvizjes çlirimtare në edukimin revolucionar të njerëzve. Kjo çoi në forcimin e psikologjizmit në T. Tema e Luftës u rrah prej autorëve me prirje dhe interesa të ndryshme artistike («E pabesueshmja» e N. Priftit, «Shtatë vjet pas» dhe «Kujtim i paharruar» të Dh. S. Shuteriqit, «Brenga e një partizani» dhe «U gjykua një partizan» të D. Shapllos, «Dasmë e çuditshme» e S. Andonit, «Larashi»» i T. Laços etj). Tipar karakteristik i zhvillimit të T. në këtë periudhë është interesimi për herë e më i madh i autorëve për shndërrimet socialiste në jetë. U shkruan një varg tregimesh ku u pasqyruan hapat e parë të botës së re, brumosja te njeriu i sotëm i ndërgjegjes socialiste, çlirimi nga mbeturinat e moralit të vjetër dhe rritja në procesin e luftës së përditshme për ndërtimin e jetës së re etj. («Era e tokës» dhe «Ajri i ftohtë i mesnatës» të T. Laços, «Litari i zjarrtë» i N. Priftit etj). E kaluara e vendit është ndër temat më të rrahura prej tregimtarëve, vëmendjen e të cilëve e tërhoqi sidomos shtypja e mjerimi i vegjëlisë, përpjekjet heroike të popullit për liri e pavarësi etj. Ndër tregimtarët e tjerë përmenden Anastas Konclo, Nasi Lera, Dritëro Agolli, Kiço Blushi, etj. T. është lëvruar edhe nga një varg autorësh kosovarë.

T. shqiptar paraqet një larmi tipash dhe formash. Dallohet T. ku elementi strukturëformues është subjekti që shtillet në mënyrë të organizuar. Në një varg T. rrëfimi mbështetet në gjuhën dhe mjetet artistike të prozës popullore. Në T. shqiptar vihet re shfrytëzimi krijues i mjeteve artistike të tregimit të shek. XX, si monologu i brendshëm retrospektiv, zhvendosjet e veprimit, përdorimi i simboleve dhe i alegorive.

(R. B.—N. Z. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tregimi


[cite]