TRIASI
✤ Periudha e parë e erës mesozoike, e përfshirë ndërmjet permianit dhe jurasikut, që ka zgjatur rreth 30 milionë vjet (nga para 225 milionë deri në para 195 milionë vjet) dhe gjatë së cilës janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë sistemin triasik. Ndahet në T. e poshtëm, që përfshin vetëm katin verfenian, në T. e mesëm me katet anizian dbe ladinian dhe në T. e sipërm me katet karnian, norian e retian.

Gjatë T. treva mesdhetare dhe tërësia e _AIbanideve në përgjithësi mbuloheshin nga një det i cekët me mbizotërimin e facieve neritike, në fillim terrigjene e mandej karbonatike. Në këtë periudhë me klimë të nxehtë ndodhi një përtëritje e faunës dhe e florës, u zhvilluan alget me sifon dhe me skelet gëlqeror, kërbishtorët amfibë e sidomos zvarranikët, disa prej të cilëve janë paraardhës të gjitarëve e u zhvillua dhe fauna detare e jokërbishtorëve, e përfaqësuar me lloje të ndryshme butakësh sidomos me amonitet e para. Veprimtaria magmatike ka qenë e dobët.

Pas lëvizjeve tektonike të ciklit malformues hercinian, deti tejvajti dhe mbuloi të gjithë trevën e Albanideve, në të cilën vende-vende u krijuan laguna pranbregdetare ku u formuan që në mbarim të permianit evaporite. Më vonë në Albanidet e brendshme u formuan shkëmbinj terrigjenë si rreshpe deltinore, ranorë e konglomeratë dhe pati veprimtari vullkanike bazike e mesatare, që vazhdoi deri në T. e mesëm kur u veçua edhe hullia e Krastë-Cukalit. Pas kësaj ndodhi cektëzimi i përgjithshëm i detit kudo në Albanidet dhe në T. e sipërm u formuan gëlqerorë organogjenë në zonën e Alpeve Shqiptare, në të cilën u formuan edhe boksite, si dhe në zonën e Mirditës, ndërsa në Zonën Jonike e atë të Sazanit u formuan edhe dolomite. Në këtë kohë në hullinë e Cukalit dhe në disa sektorë të zonës së Mirditës, dhe asaj të Korabit, në kushte deti më të thellë, u formuan gëlqerorë me shtresa stralli.

(A.Xho.—H.Dal.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Triasi


[cite]