TRURI I VOGËL
Truri i vogël ndodhet në pjesën e prapme të kafkës. Sipërfaqja e tij ka ngjyrë të përhime, që do të thotë se është e formuar nga qeliza nervore. Ndërsa pjesa e brendshme ka ngjyrë të bardhë, pra është e formuar nga zgjatime të qelizave nervore. Kjo është në përgjithësi vendosja e lëndëve të përhime dhe të bardha në te gjithë zonën trunore.
Nga truri i vogël dalin disa zgjatime që e lidhin atë me trungun trunor dhe me palcën kurrizore. Për të lëvizur dorën nga tavolina deri te goja, duhet të vihen në punë 58 muskuj dhe 32 kocka. Siç shihet, edhe kjo lëvizje kaq e thjeshtë, në të vërtetë paraqitet tepër e ndërlikuar. Truri i vogël merr pjesë në lëvizjet e ndryshme të organizmit, në bashkëpunim edhe me pjesë të tjera të trurit. Truri në fakt përgjigjet për të gjitha lëvizjet e vullnetshme të organizmit dhe për ruajtjen e ekuilibrit të trupit. Eksperimentet e kryera në kafshë e tregojnë shumë qartë këtë. Një miu, të cilit i është dëmtuar gjysma e trurit të vogël, rrotullohet rreth vetvetes në atë krah që përputhet me pjesën e dëmtuar. Dëmtimi i trurit të vogël te njeriu shoqërohet me pasoja të rënda, me çrregullime të ndjeshme të lëvizjeve, me humbjen e aftësisë për të kryer lëvizje në një drejtim të caktuar, me humbjen e ekuilibrit.