TRURI I NDERMJETËM

Truri i ndërmjetëm është i vendosur ndërmjet dy hemisferave të trurit të madh dhe përpara trurit të mesëm. Ai është i përbërë nga dy pjesë kryesore: talamusi dhe hipotalamusi. Në trurin e ndërmjetëm vjen një informacion shumë i madh. Në fakt, i tërë informacioni që kapet nga receptorët e ndryshëm, që janë të shpërndarë në gjithë sipërfaqen e lëkurës, dhe në tërësi nga organet e shqisave, vjen në trurin e ndërmjetëm. Këtu, i gjithë ky informacion «përpunohet e sistemohet» e pastaj kalon në hemisferat e trurit të madh.

Lënda e përhime që formon talamusin dhe hipotalamusin përfaqëson një mori të pafund qelizash nervore, të cilat, nga ana e tyre, bashkohen e formojnë një sërë bërthamash. Çdo njëra nga këto bërthama është në vetvete një qendër nervore, që kontrollon e kryen funksione të caktuara. Talamusi është i përbërë nga rreth 40 bërthama nervore. Te një pjesë e tyre vijnë impulset nervore nga receptorët e organeve të shqisave, nga muskujt dhe nga organet e brendshme. Te një pjesë tjetër, që janë me sa duket bërthama nervore më të specializuara, shkon informacioni i përpunuar më parë në bërthamat e para. Në talamus ndodhen edhe disa bërthama nervore, roli i të cilave është që të aktivizojnë zona të caktuara të hemisferës së trurit të madh. Shumë studiues janë të mendimit se këto qendra marrin pjesë e luajnë një rol me rëndësi në procesin e vëmendjes. Ato janë një ndër faktorët që na bëjnë ta përqendrojmë ose ta zhvendosim vëmendjen. Pjesë e rëndësishme e trurit të ndërmjetëm është dhe hipotalamusi. Ai është i përbërë nga rreth 32 bërthama nervore. Funksioni kryesor i tyre është rregullimi i disa funksioneve të pavullnetshme të trurit tonë. Kështu, p.sh., disa bërthama rregullojnë dhe mbajnë të pandryshuar temperaturën e trupit tonë, disa të tjera rregullojnë metabolizmin e yndyrave, të karbohidrateve etj. Por hipotalamusi ka lidhje të ngushtë edhe me një gjëndër shumë të rëndësishme, me hipofizën, e cila konsiderohet si gjëndra që drejton veprimtarinë e të gjitha gjëndrave të tjera endokrine. Disa studiues, në sajë të eksperimenteve shumë të imëta, kanë arritur në përfundimin se rreth 100000 fije nervore lidhin hipotalamusin me hipofizën.

Trupi — Ynë

[cite]