TRURI

Mjekët dhe dijetarët e lashtësisë nuk kishin arritur të njihnin e të kuptonin rolin dhe funksionet e trurit. Ata mendonin se organet kryesore të organizmit të njeriut ishin mëlçia dhe zemra. Ndërsa sot ne dimë se truri drejton gjithë veprimtarinë e organizmit tonë. Truri merr të dhëna nga çdo organ dhe dërgon pa ndërprerje urdhra; ai kontrollon e drejton çdo veprim të organizmit tonë.

Truri mbush gjithë hapësirën e kafkës. Po ta shikosh nga sipër, duket sikur truri është një organ i vetëm, por, po ta shikosh nga poshtë, e kupton menjëherë se ai është i formuar nga pjesë të veçanta që kryejnë funksione të ndryshme. Truri është i përbërë nga tri pjesë kryesore që janë: trungu i trurit, truri i vogël dhe truri i madh. Truri ka formën e zgavrës së kafkës. Pesha e trurit të një njeriu të rritur është rreth 1 380 gr. Te një fëmijë e porsalindur ai peshon 400 gr. Por, vetëm pas një viti, pesha e trurit dyfishohet. Në moshën 10 vjeç arrin peshën 1300 gr. Pas kësaj moshe ai rritet shumë ngadalë. Për rreth 40 vjet ai ruan peshën e tij. Duke peshuar trurin e kafshëve, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se pesha e trurit në kafshë të ndryshme është e ndryshme. Kështu, p.sh.. truri i një delfini peshon rreth 2000 gr; i një elefanti 4000 gr; i një balene 7000 gr etj. Por nuk duhet të arrijmë në përfundimin se ajo kafshë që ka trurin më të madh është edhe më e zgjuar. Po të shikojmë raportin e trurit me atë të trupit, do të vërejmë se ky raport është shumë më i madh te njeriu, në krahasim me gjithë kafshët. P.sh. ky raport te balena është 1/200, te elefanti 1/500, te kali 1/400, te qeni 1/250. te majmunët antropomorfë 1/100, ndërsa te njeriu 1/45. Pra këto të dhëna tregojnë se truri i njeriut është shumë më i madh, në krahasim me trupin, ndër të gjitha kafshët e buta.

Trupi — Ynë

[cite]