TUBERKULOZI
✤ Sëmundje ngjitëse e kronike që shkaktohet nga «bacili i Kokut», dhe që prek mushkëritë ose ndonjë organ tjetër si kockat, kyçet, cipat e mushkërive, të barkut e zemrës, gjendrat limfatike, zorrët, mëlçinë, veshkat etj. Zakonisht T. ka zhvillim të ngadalshëm, disa herë të mprehtë (akut) si dhe kronik, por sot mund të shërohet plotësisht. Kur T. prek mushkëritë, i sëmuri ka kollë, nganjëherë të shoqëruar me gëlbazë, temp. jo shumë të lartë, djersitje zakonisht në mbrëmje, pakësim të oreksit, dobësi të përgjithshme dhe jep reaksion Mantu pozitiv.
Në Shqipëri para Çlirimit, kjo sëmundje me karakter të theksuar shoqëror, ishte shumë e përhapur dhe shkaktonte shumë vdekje, e megjithatë shërbimi kundër T. më 1938 përfaqësohej vetëm nga 2 mjekë ftiziatër dhe 50 shtretër të spitalit të Tiranës.
Me çlirimin e vendit pushteti popullor mori një tërësi masash me përparësi për të luftuar T. Krahas përmirësimit të gjendjes ekonomikoshoqërore të popullit, shëndetësia ndërmori një veprimtari të gjerë të karakterit shëndetësor profilaktik, diagnostikues e mjekues, si depistimi masiv, vaksinimi kundër T. me vaksinën BCG, dhënia e izoniazidit për profilaksi fëmijëve dhe të rinjve të infektuar por pa zhvillim të sëmundjes. U ngritën institucione kundër T., si sanatoriume (shih), Instituti për Luftën kundër Tuberkulozit -sot Instituti i Sëmundjeve të Mushkërive (shih), dispanseri (shih), preventoriume, çerdhe sanatoriale, shtëpl pushimi etj. Mjekimi i T. në institucionet shëndetësore e jashtë tyre është falas.
Si rezultat i rritjes së vazhdueshme të mirëqenies, nivelit kulturor dhe i masave të gjithanshme depistuese e profilaktike, T. në Shqipëri është pakësuar shumë. Kështu p.sh. sëmundshmëria (incidenca) e T. nëperiudhën 1960-1980 kazbritur 10 herë më pak. Kjo gjë bëri që të mbylleshin sanatoriumet e Sarandës e të Vlorës dhe të pakësohet numri i shtretërve për të sëmurët me T. në sanatoriumet e tjera, të cilat u kthyen në spitale që merren edhe me sëmundjet e tjera të mushkërive.
T. shfaqet edhe te kafshët, sidomos te gjedhët, derrat e shpendët. Për blegtorinë e vendit tonë rëndësi të veçantë ka luftimi i T. të gjedhit. Vatrat e kësaj sëmundjeje, me masat që janë marrë, kanë ardhur gjithnjë duke u pakësuar.
Për shëndetësimin e tufave të prekura zbatohen tuberkulinizime të shpeshta (çdo 2-3 muaj), heqja nga tufat e krerëve që reagojnë pozitivisht dhe i atyre klinikisht të sëmura, dezinfektimi i stallave, i padoqeve, i inventarit, grumbullimi e përpunimi biotermik i plehut, rritja e brezit të ri larg vendit të infektuar etj. Për luftimin e T. kanë dhënë ndihmesë me veprimtarinë e tyre Petraq Leka, Shefqet Ndroqi etj. (H. Ço-Z. K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Tuberkulozi