TUNMAN HANS


TUNMAN HANS
✤ (Hans Erich Thunmann, 1746-1778). Historian suedez, një nga albanologët e parë, profesor në Universitetin e Halles në Gjermani. Njohja me studentë e tregtarë nga vendet e Evropës L e JL, midis tyre edhe me shqiptarë, i nxiti interesin për të studiuar gjuhën e historinë e atyre vendeve. Në veprën «Hulumtime për historinë e popujve të Evropës Lindorex (1774) që nuk e ka humbur ende vlerën, në një nga kapitujt kryesorë H. T. bën përpjekjen e parë shkencore për të shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve e të gjuhës së tyre. Në bazë të argumenteve historike të nxjerra nga burimet greko-latine e bizantine H. T. arriti në përfundimin se shqiptarët mesjetarë janë vazhduesit autoktonë të popullsisë antike të ilirëve, e cila nuk u romanizua si ajo dako-trake paraardhëse e rumunëve, as nuk u zëvendësua në viset e veta nga një popullsi e mëvonshme e dyndur këtu. Duke u mbështetur në burimet bizantine, ai jep historinë e shqiptarëve mesjetarë si një formacion etno-kulturor unitar dhe si faktor politik më vete. Si provë të gjuhës së këtij populli për të cilin shprehte simpati për shkak të gjendjes së tij të robëruar, H. T. përfshiu në këtë vepër fjalorin e Th. Kavaliotit (shih), që ia kishte dorëzuar Konstandin Xhehani, një voskopojar i ditur, me të cilin u takua në Halle. Me gjithë gjendjen ende të pazhvilluar të studimeve ballkanike në atë kohë, vepra e H. T. përbën një ndihmesë për ta vënë mbi baza shkencore problemin e formimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij.

(A. Bu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Tunman Hans


[cite]