Uji i bekuar

Uji i bekuar

Uji i bekuar kremtohet më 6 janar. Në këtë ditë të shënuar për besimtarët ortodoksë, Jisui pagëzohet prej Joanit në lumin Jordan. Krishti është një nga personat e Trinisë së Shenjtë, i dëshmuar prej Atit dhe Shpirtit në formën e pëllumbit. Kjo e kremte quhet ndryshe edhe Epifani, që do të thotë shfaqa e sipërme, ose nëpër librat e shërbesave do ta gjejmë Theofani që do të thotë shfaqja e Perëndisë. Pas celebrimit të meshës në kishë, besimtarët drejtoheshin në det ose tek kolimvithra për të hedhur kryqin. Besimtarët të paraprirë nga prifti dhe psaltët shkojnë duke kënduar: “O Zot shpëtoje popullin tënd, e bekoje trashëgimin tënd…” Gjatë kësaj shërbese kryqi vihet në një enë me ujë dhe me një tufë borziloku. Kryqi hidhet në pellgun me ujë dhe ai që do ta kapi shpërblehet. Menjëherë besimtarët puthnin kryqin dhe spërkaten me ajazëm (ujë të bekuar). Ndërkohë psaltët këndojnë hymnin kryesor të së kremtes: “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot, Falja e Trinisë kudo u shfaq..”. Ky tropar këndohej nga të gjithë të pranishmit. Besimtarët mbushnin nga një shishe të vogël me ujë të bekuar dhe sapo mbërrijnë në shtëpi spërkatnin të gjitha anët. Më pas shishen e vendosin pranë ikonës në vendin e lutjes. Këtë ujë të bekuar e mbajnë deri më 6 janar të vitit pasardhës. Ky ujë përdoret si shenjë bekimi në rast sëmundjesh. Gjithashtu gjatë së kremtes së Ujit të Bekuar pas Liturgjisë Hyjnore burrat mblidhen në hajatin e kishës ku zhvillohet ankandi i shitjes së ikonave. Ai që paguan më shumë, ka privilegjin që ta mbajë ikonën disa ditë në shtëpi. Të afërmit e fqinjët vizitojnë familjet që kishin blerë kryqin dhe ikonat duke i uruar për mbarësi.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Protopresviter Thomas Hopko, Besimi Orthodhoks Vol II Adhurimi, Tiranë 1997 faqe 177.
2-Imzot Fan Noli, Uratore e Kishës Orthodhokse, Boston Mass 1941, faqe 403.
3-Imzot Fan Noli, Kremtore e Kishës Orthodhokse, Boston Mass 1947, faqe 487. 4-Stilian Adhami, Vështrim mbi kulturën popullore të trevës së Përmetit, Tiranë 2002, faqe 150- 151.

Besimi — Ortodoks

[cite]