UROVI
✤ (Vicia ervilia,L.). Bimë foragjere njëvjeçare -e familjesbishtajore (Leguminosae) me kërcell deri 50 cm të lartë, me gjethe çift pendore të çara, me lule të bardha në të kaltër me breza ngjyrë vjollcë. Bën fryt bishtaje me 2-4 fara të vogla, të rrumbullakëta e të shtypura, me ngjyrë të kuqërremtë ose të hirtë në të kaltër. U. është i qëndrueshëm ndaj thatësirës e të ftohtit (mbin në 2-3°C), ka periudhë bimore rreth 90 ditë e aftësi prodhuese të ulët. Mund të mbillet në vjeshtë në zonën e ngrohtë dhe në pranverë herët në të ftohtën. Në Shqipëri është kultivuar prej kohësh, në tokat e pjerrëta më tepër për prodhim kokrre (tagjie) se për njomishte (hasëll).

Përshtatet në toka pak prodhuese, përmirëson pjellorinë dhe mbron tokën nga gërryerjet, duke u kultivuar në periudha me reshje të shumta në vjeshtë-pranverë. Përdoret edhe për plehërim të gjelbër. Kokrrat kanë përmbajtje të lartë proteinash por nuk përdoren në sasi të mëdha për ushqimin e bagëtisë pasi janë pak të hidhura e mund të japin shqetësim.

(A.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Urovi


[cite]