VËRRIU
✤ Lloje drurësh të gjinisë vërri (Alnus) familja e mështeknave (Betulaceae). Në Shqipëri gjenden tre lloje: V. i zi (Alnus glutinosa L.), V. i bardhë (Alnus incana Vill.) dhe kulfini (A.lnus cordata Desf.).
V. i zi rritet kudo në Shqipëri në toka të pasura e me lagështi, arrin zakonisht lartësinë deri 8-10 m dhe rrallë 20-25 m, lëvorja në fillim e lëmuar dhe e shkëlqyeshme, me kalimin e moshës bëhet e murrme, e trashë dhe e çarë, ka gjethe të rrumbullakta ose vezake të përmbysura me dhëmbë të çrregullta, majëshyte, lulet mashkullore të vendosura në gathë 6-7 cm të gjatë, 3-6 së bashku, ato femëroret 3-4 mm të gjata me ngjyrë të kuqërremtë. Lulëzojnë në shkurt-mars, bën fryt një boçe sa një kokërr lajthie të vendosur 3-4 së bashku në një bisht ngjyrë gështenjë, piqet sipas vendit nga shtatori në nëntor.
V. takohet kudo në Evropë, në Afrikën e V, në Siberi etj. Në Shqipëri rritet shpesh, gjatë lumanjve dhe përrenjve nëpër këneta e pyje me lagështi që nga fushat bregdetare deri në lartësinë 1800 m kryesisht në Velipojë, Bregun e Matës, Fushë-Krujë, Rrushkull, Elbasan, në grykën e Shkumbinit, Semanit, dhe Vjosës, fushën e Dukatit, Vurg etj. Si lloj me rritje të shpejtë V. përdoret për pyllëzimin e tokave të lagëta të çdo natyre, me fidana 1-3 vjeçare, më rrallë me farë. Druja e V. është e bardhë, por me kalimin e kohës merr ngjyrë të kuqe, mund të përdoret në punime në vend me lagështi, për veshjen e galerive të minierave, për orendi etj., lëvorja përmban deri 16% lëndë regjëse. Përdoret për ngjyrosje në të verdhë dhe të zezë.
(A.Pos.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vërriu