VALLJA ARBËRESHE


VALLJA ARBËRESHE
✤ Valle e arbëreshëve të Italisë e kënduar «E kush ja tha sat’ëme», me tipare të përbashkëta etnike me vallet shqiptare. U luajt në Festivalin Folklorik Kombëtar (Gjirokastër, 1978) nga një grup arbëreshësh të fshatit San Demetrio të Kalabrisë. Ka kompozicion të thjeshtë, e përshkon një lirikë festive që vërehet si në mjetet shprehëse koreografike, ashtu edhe në interpretimin e valltarëve. Ekzekutohet nga një grup i përzier, i vendosur në vijë të drejtë me nga një burrë e një grua. Kërcimi nis në gjysmë rrethi, dora-dorës formohet rrethi i mbyllur, që përbën epiqendrën e tij. Këtu mbizotëron një motiv koreografik me fakturë katërhapëshe. Karakteristikë e shoqërimit muzikor është gërshetimi me këngë (kënduar nga vetë valltarët) dhe shoqërimi orkestral me dy kitara.

(R.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vallja Arbëreshe


[cite]