VARIBOBA JUL


VARIBOBA JUL
✤ (shek.XVIII). Poet arbëresh. Lindi në Mbusat (San Giorgio Albanese) të Kozencës (Kalabri). Ka qenë një ndër nxënësit e parë të kolegjit italo-arbëresh të San Benedeto Ulanos. Pasi shërbeu disa kohë si prift në fshatin e vet, mërgoi në Romë, ku kaloi vjetët e fundit të jetës. Më 1762 botoi atje, një vëllim poezish me titull Gjella e Shën Mëris Virgjër, që përmban një poemë të gjatë të ndarë në dy pjesë dhe një tok vjershash që nga tematika janë si plotësim i poemës. «Gjella e Shën Mërisë Virgjër». ka subjekt fetar por aty J.V. largohet mjaft nga tradita kishtare në paraqitjen e figurave biblike, duke i përshkruar ato si njerëz të zakonshëm. Disa nga vjershat përmbajnë edhe vargje vallesh e vajesh të ngjashme me ato të poezisë popullore arbëreshe. Për mënyrën origjinale të trajtimit të subjektit, për lirizmin dhe për mjeshtërinë e përdorimit të mjeteve artistike vepra e J.V. është një ndër veprat e para artistike të poezisë sonë.

(Sh.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Variboba Jul


[cite]