VARVARICA RAMIZ
✤ (1900-1938). Revolucionar i shquar shqiptar, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës (1936-1939). Hero i Popullit. Me prejardhje nga një shtresë e varfër qytetare e Dibrës së Madhe, në moshë të re punoi si çirak. Në vitet 1919-1920 shërbeu në milici, mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës (shih) dhe të qeverisë së Tiranës. Më 1921 me forcat dibrane luftoi kundër invazorëve jugosllavë i përfshirë në forcat e Bajram Currit dhe kontribuoi në shpartallimin e mereenarëve të Gjon Marka Gjonit. U aktivizua në lëvizjen demokratike, mori pjesë në Revolucionin e Qershorit dhe luftoi për realizimin e programit të tij, si anëtar i shoqërisë Bashkimi (shih). Pas dështimit të revolucionit, shkoi në mërgim, në fillim në Itali e pastaj në Francë, ku jetoi e punoi në vitet 1925-1936. U aktivizua në lëvizjen punëtore franceze dhe bashkëpunoi me emigrantë revolucionarë shqiptarë. Më 1936 mori pjesë si vullnetar në Luftën e Spanjës (shih: vullnetarët antifashistë). Atje u caktua në detyra me përgjegjësi dhe u shqua për trimëri. U vra në Kaspa të Aragonës.
(V.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Varvarica Ramiz
[cite]