VATRA
✤ Vendi ku ndizet zjarri në banesë për ngrohje e gatim. Forma e parë pa kanal tymi, pa oxhak është më e vjetra e gjendej zakonisht në «shtëpinë e zjarrit». Forma e dytë takohej me kanal tymi, në banesa të zhvilluara dhe njihej me emrin oxhak.

Oxhaku i banesës shqiptare i shërben një kthine të vetme dhe ndërtohet në muret e jashtme. Realizimet më të goditura të oxhakëve i takojmë në odën e miqve.

Në disa qytete si: në Shkodër, në Berat, në Prizren, në Gjirokastër në odën e miqve të shtresave të pasura kishte oxhak dekorativ. Një shprehje e dallimeve klasore ka qenë ndalesa për të nxjerrë tymarin mbi çati në disa fshatra çifligje dhe në shtresat e varfëra të disa qyteteve deri në vitet para Çlirimit.

V. është mbajtur edhe si simbol i vetë familjes. Sipas një tradite të vjetër, zjarri në V. rrinte i ndezur vazhdimisht dhe në paragjykimet quhej për keq të fikej.

(A.Mu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vatra


[cite]