AGAMEMNONI DHE MENELAU
Shumë e shumë vjet më parë, një mëngjes vjeshte, që shkëlqente nga vesa, dy djelmosha ecnin të heshtur nëpër një shteg të ngushtë mali, tërë guriqe. Dukeshin si vëllezër dhe vëllezër ishin: që të dy flokëverdhë e të bukur. Me fytyrë të zbehtë e të trishtme e me sy të përlotur shkonin të dy vetëm nëpër mal. Por nuk ishin veshur me tunika të trasha prej leshi si malësorët e asaj kohe; tunikat e bardha u shkëlqenin nga qëndismat tërë ar dhe sandalet e bukura i kishin të stolisura me ar. Ecnin pa u ndalur, po dukej që ishin të kapitur. Befas, njëri prej tyre u ndal, ai më i riu e më flokëverdhi.
— Agamemnon, — i tha të vëllait, — s’e vazhdoj dot rrugën. Lermë të çlodhem një çast, vetëm një çast! Dje kemi bërë rrugë të gjatë, kemi ecur gjithë natën, prandaj jam shumë i lodhur dhe i uritur.
Agamemnoni, vëllai më i madh, hodhi sytë rreth e qark. S’dukej asnjeri, as në shteg e as në malet e veshura me pyje; në ajrin e mëngjesit dëgjohej vetëm fëshfëritja e gjetheve.
— Nuk duket e nuk ndihet asnjeri, e mbase ndodhemi mjaft larg qytetit. Por kam frikë nga Egisti! Ai po na kërkon që të na vrasë, pa dyshim. Bëj dhe një copë rrugë, Menela, vëlla i dashur! Ec edhe pakëz!
Menelau ishte lëshuar përtokë, mbante sytë mbyllur dhe nuk përgjigjej. Agamemnonit i ngriu zemra, sepse iu duk se i vëllai po vdiste. Duhej ta ndihmonte! Duhej ta vinte gjëkund që të shtrihej dhe t’i gjente diçka për të ngrënë! Po ja, në mes të heshtjes së maleve iu bë sikur dëgjoi jehonën e një ulërime të largët.
Mbajti vesh: po, ulërima përsëritej! Nga ato anë duhej të kishte barinj. Nga ata do t’u vinte shpëtimi! Agamemnoni e mbuloi mirë Menelauh me mantelin e tij, mbajti vesh dhe një copë herë, pastaj vazhdoi rrugën fillthi.
— Mos shko, Agamemnon, mos më braktis! — iu lut Menelau me zë të këputur.
— Nuk të braktis, jo. Po shkoj të kërkoj ndihmë. A dëgjon? Duhet të ketë lopë këtu afër. Duhet të ketë, pra, dhe barinj e mbase do të çlodhemi në kasollen e tyre. Mos ki frikë, Menela, do të kthehem shpejt.
— S’kam frikë, — u përgjigj Menelau. U përpoq të ngrihej, po s’kishte fuqi. Agamemnoni iu ngjit malit përpjetë, kaloi përmes pyjesh e luadhesh dhe shkoi andej nga vinin zërat e largët.
Dielli shkëlqente mbi majat e maleve dhe pyjet dridheshin gjatë zgjimit mëngjesor…
— Si dridheshin? — pyeti Leoja.
— Pyjet zgjohen çdo mëngjes si njerëzit. Bimët dhe lulet, fijet e barit dhe zogjtë kënaqen me dritën dhe ngrohtësinë e diellit, por, meqë s’mund të thonë: — Mirë se erdhe, o dritë! Mirë se erdhe, o diell! — e përshëndetin ditën në një mënyrë tjetër. Lulet çelin petalet, fijet e barit harlisen, gjethet e drurëve ngrihen e përkulen një mijë herë, zogjtë cicërojnë fluturimthi. Tërë pylli fëshfërin e dridhet kur lind dielli. Kështu ndodh çdo mëngjes dhe kështu ndodhte edhe atë mëngjes të largët vjeshtor. Pylli fëshfërinte e dridhej për të përshëndetur diellin që po lindte. Edhe ulërimat që dëgjoheshin herë pas here e që ua sillte jehonën flladi i lehtë, dukeshin si përshëndetje paqësore.
Mirëpo Agamemnoni nuk e ndiente këtë qetësi dhe nuk e shijonte agimin e hareshëm. Mendonte për të vëllanë që e kishte lënë të zbehtë e të lodhur, shtrirë mbi bar, mendonte për t’anë, mbretin Atre, që ishte vrarë tradhtisht, mendonte për Egistin, shokun e vogëlisë, i cili i dilte para syve në tempull, me fytyrën e egërsuar, në çastin kur i kishte ngulur shpatën në kraharor Atreut! Pastaj se si kishte ndier që e kishin shtyrë përjashta tempullit, në mes të një rrëmuje të madhe e se si kishte dëgjuar dhe një zë që thoshte: «Mbathjani, djema, sa ka kohë!» Një luftëtar i kishte shoqëruar një copë rrugë, pastaj ishte kthyer prapë me vrap. Agamemnoni dhe Menelau ishin gjendur në një shteg mali. Pastaj kishin ecur një kohë të gjatë, që të largoheshin nga qyteti sa më shumë që të ishte e mundur, sepse luftëtari u kishte thënë se Tiesti ishte i lirë dhe rreziku i madh.
Agamemnoni, i trishtuar, u binte kryq e tërthor pyjeve të mrekullueshme plot këngë dhe fluturime zogjsh, pastaj pak nga pak ulërimat u dëgjuan më afër. Dëgjoheshin dhe blegërima. Një qengj i bardhë po vinte me vrap e midis drurëve u duk një lëndinë e blertë dhe një kasolle.
Agamemnoni po vështronte i fshehur prapa trungut të një lisi. Një grua e re po përkundte një foshnje te pragu i kasolles. Në mes të lëndinës, i shoqi po milte dhentë dhe një fëmijë i qeshur dhe i gëzuar rendte andej-këtej dhe kërkonte të kapte qengjin, po s’e arrinte dot. Duke rendur, fëmija arriti pranë lisit, prapa të cilit ishte fshehur Agamemnoni, e pa dhe u ndal një çast i habitur, pastaj vrapoi tek e ëma.
— Nënë, aty, prapa lisit, ndodhet një njeri i veshur me ar! Eja ta shohësh, nënë.
— S’është e mundur! — u përgjigj e shoqja e bariut. — Do të kesh parë ëndërr! Ua, ja ku qenka!
Ndërsa baresha po fliste kështu, Agamemnoni ishte larguar prej lisit dhe po i afrohej kasolles. Këta barinj të qetë dukeshin njerëz shumë të mirë! Agamemnoni u tha bariut e bareshës që ishin afruar edhe ata:
— Im vëlla dhe unë kemi humbur rrugën dhe jemi të kapitur. A mund të na jepni qumësht dhe bukë që të marrim veten? A do të na lejoni të ulemi pranë zjarrit tuaj? Do t’jua dimë për nder e ndoshta ndonjë ditë mund t’jua shpërblejmë.
—Mos e zër ngoje shpërblimin, — i tha gruaja me dashamirësi. — Ne jemi të varfër, por nuk i dëbojmë ata që kërkojnë mikpritje në kasollen tonë. Merre, pije këtë qumësht dhe ‘më fal në qoftë se ta jap në një misur prej balte, sepse ti je mësuar të pish në filxhanë prej ari e prej argjendi.
Mirëpo Agamemnoni as që vuri re në ishte misuri i bukur ose i shëmtuar dhe e rrëkëlleu me një frymë qumështin e shijshëm e që nxirrte avull, që e shoqja e bariut e kishte zbrazur për të.
— Faleminderit, — tha, — jeni shumë të sjellshëm. Por ndihmoni, ju lutem, edhe tim vëlla! Ka mbetur jo shumë larg që këtej. Është më i kapitur se unë dhe po e grin uria.
Agamemnoni u nis për aty ku kishte lënë Menelaun dhe bariu i shkoi pas. Ndërkaq, e shoqja vuri foshnjën në djep dhe zuri të këpuste ca degë e ca gjethe të thata për të ndezur një zjarr të madh që të ngroheshin dhe të merrnin veten mysafirët.
Kështu që, kur Agamemnoni dhe bariu u kthyen dhe e sollën me vete Menelaun, gjetën pë kasolle një zjarr të bukur, që brambullinte dhe shkëlqente, e të gjithë u ulën rrotull këtij zjarri.
E ëma pushoi së foluri. Leoja e pyeti:
— Po pastaj?
Pastaj? Prit gjersa të çlodhen, sepse tërë atë ditë djemtë e Atreut ndenjën me barinjtë dhe vetëm të nesërmen u nisën për udhë. Veç kësaj, tani që e mësove se Agamemnoni dhe Menelau gjetën miq, duhet të jesh i kënaqur dhe i duruar.

[cite]