VEGLAT MUZIKORE POPULLORE


VEGLAT MUZIKORE POPULLORE
✤ Vegla që janë përdorur tradicionalisht nga muzikantët popullorë. Sipas mënyrës së nxjerrjes së tingullit V.M. ndahen në katër kategori kryesore: a) vegla idiofone, b) vegla membranofone, c) vegla aerofone dhe d) vegla kordofone.

Veglat idiofone i nxjerrin tingujt nga lëkundjet e trupit të tyre të ngurtë nëpërmjet përplasjes, fërkimit, tundjes ose pickimit (rraketakja, rrakeza, zereza, tepsia, lugët, këmborët, zilet etj.). Shumica e tyre janë përdorur për të argëtuar foshnjat. Në muzikën popullore më të shumtën e rasteve kanë rolin shoqërues të këngëve, valleve, instrumenteve dhe formacioneve instrumentale popullore (lugët, çaparet, tepsia etj.). Vetëm ndonjë prej tyre është përdorur si solistike (p.sh. cungrana).

Në veglat membranofone . tingulli përftohet nga një cipë ose lëkurë e tërhequr. Njihen si të tilla: tumbullaci, qypi, dajrja, lodërtia dhe poçi. Përdoren kryesisht për shoqërim. Përveç dajres (defit) që përdoret kudo nga gratë e burrat për shoqërimin e këngëve të dasmës, të tjerat përdoren kryesisht në disa rrethe të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut për shoqërimin e valleve, si dhe në formacione instrumentale popullore.

Në veglat aerofone tingulli përftohet nga lëkundjet e ajrit. Veglat e kësaj gjinie duke përfshirë edhe ato paramuzikore, janë të shumëllojshme dhe kanë përhapje të ndryshme. Të tilla janë: gjethi, pipëza, zumarja, gajdja, fyelli, surlja etj. Repertori muzikor i tyre dallohet për karakterin kombëtar. Janë të përhapura në gjithë vendin për shumë role.

Në veglat kordofone tingulli përftohet nga lëkundja e kordave të tërhequra. Kanë dy nëndarje: a) kordofone me pendë, si: çiftelia,bakllamaja, sharkia, sazeja, çyri dhe llauta, dhe b) kordofone me bark, si: lahuta dhe lauria. Me përjashtim të lahutës, që përdoret vetëm për shoqërimin e këngëve të epikës heroike dhe historike, veglat e tjera përdoren me funksione të shumëfishta. Shoqërojnë këngëtarët popullorë e vallet, si dhe luajnë motive solistike. Vitet e fundit këto po përdoren gjerësisht në formacionet instrumentale popullore. Në përmhajtjen e repertorit të tyre vihet re një karakter i theksuar lirik dhe optimist.

(Pi.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Veglat Muzikore Popullore


[cite]