VENAT
Gjaku është mjet transporti, prandaj, që të kryejë funksionin e tij, ai duhet të qarkullojë vazhdimisht. Nëse arteriet e shpërndajnë gjakun nga zemra në të gjithë trupin, disa gypa të tjerë, që quhen vena, e kthejnë atë përsëri në zemër. Pra gjaku kthehet në zemër nëpër një rrugë të dytë.
Edhe venat janë gypa, por nuk janë të pajisura me inde elastike e muskulore ashtu si arteriet. Në fakt, venat janë më të dobëta dhe pak më të gjera se arteriet. Gjaku te venat rrjedh në mënyrë pasive, nuk shtyhet nga tkurrjet e zemrës dhe të muskujve. Por, që gjaku të rrjedhë gjithmonë në një drejtim, venat kanë përbrenda disa valvola që e lejojnë gjakun të kalojë, por jo të kthehet prapa. Këto valvola funksionojnë si ventili i gomave të biçikletës, që e lejojnë ajrin të hyjë, por jo të dalë.
Ashtu si arteriet edhe venat krijojnë një rrjetë kapilare. Rrjeta kapilare e arterieve dhe ajo e venave bashkohen e ndërhyjnë te njëra-tjetra.
Kapilarët e venave bashkohen e formojnë degëzime gjithnjë e më të trasha. Së fundi, të gjitha venat e pjesës së poshtme të organizmit bashkohen në një venë të vetme që quhet vena zgavrore e posaçme, ndërsa ato të pjesës së sipërme formojnë venën zgavrore të sipërme. Të dyja këto vena të mëdha hyjnë në barkushen e djathtë të zemrës. Gjithë sistemi i venave është formuar sipas ligjësive hidraulike. Ashtu si shtrati i një lumi formohet nga rrëketë e degët e ndryshme që bashkohen me të gjatë gjithë rrjedhës, që nga burimi dhe derisa derdhet në det, ashtu edhe venat e mëdha zgavrore formohen nga bashkimi i miliona gypëzave kapilarë, i shumë venave dhe venulave. Gjaku, pasi lëshon lëndët ushqyese e ngarkohet me mbeturinat e jashtëqitjes së qelizave, kalon dalngadalë nga rrjeta kapilare e arterieve në rrjetën kapilare të venave; prej këtej ai hyn në degëzimet e venave, kalon në venat e mëdha zgavrore dhe kthehet në zemër, në veshin e djathtë të saj.