VEPRIMTARIA E LARTË NERVORE

VEPRIMTARIA E LARTË NERVORE

Njohja e realitetit, njohja e botës që na rrethon si edhe e vetvetes është një proces shumë i ndërlikuar. Nëpërmjet organeve të shqisave dhe receptorëve të ndryshëm, që marrin ngacmimet nga bota e jashtme, në trurin tonë vjen një informacion i gjerë. Këtë informacion truri, nëpërmjet mekanizmave të tij, e sistemon, e klasifikon, e përqendron dhe nëpërmjet të menduarit abstrakt nxjerr përfundime logjike, arrin të zbulojë ligjësitë e dukurive natyrore. Më pas, këto përfundime njeriu i ballafaqon me praktikën e përditshme për të parë nëse janë apo jo të sakta, të vërteta. Nëpërmjet kësaj rruge dialektike njeriu gjatë shekujve ka arritur të njohë ligjësitë e natyrës, botën që na rrethon.

Po të vërejmë kafshë të ndryshme, do të arrijmë në përfundimin se organet e tyre të shqisave, në rrugën e gjatë të evolucionit, janë zhvilluar e janë përsosur në atë mënyrë që t’u lejojnë të orientohen e t’u përshtaten sa më mirë kushteve të mjedisit, në të cilin jetojmë. Kështu, p.sh., zogjtë grabitqarë kanë një vështrim shumë të mprehtë, që i lejon ata të dallojnë gjahun dhe nga një lartësi e madhe; peshqit kanë një organ shumë interesant, fshikëzën e notimit, me anën e së cilës ata dallojnë edhe lëkundjet më të lehta të ujit; kafshët e pyllit kanë të zhvilluar shumë nuhatjen, sepse, në kushtet e pyllit kjo i ndihmon shumë për t’u orientuar e për të ndjekur gjahun. Në krahasim me organet e shqisave të kafshëve, organet e shqisave të njeriut janë shumë të përsosura, ai arrin të dallojë shumë më tepër veçori në një send se sa çdo lloj kafshe. Pikërisht me anën e këtyre shqisave të përsosura njeriu merr informacionin nga realiteti dhe e pasqyron në tru, Pra, të dhënat që sjellin në tru organet e shqisave janë pikënisja e njohjes, e pasqyrimit të realitetit në ndërgjegjen tonë, e veprimtarisë së lartë nervore.

Trupi — Ynë

[cite]