VENDBANIMET
✤ Trualli me ndërtimet përkatëse ku është vendosur dhe zhvillon jetën shoqëroreekonomike një bashkësi njerëzish. Dy llojet kryesore janë V. fshatare dhe V. qytetare.
Zbulimet arkeologjike në truallin e Shqipërisë dëshmojnë praninë e V. fshatare qysh në neolit. Janë të njohura V. lakustre dhe ato shpellore që janë përdorur deri në periudhën e hekurit.
Që nga kjo periudhë në Iliri kalohet në V. e hapura dhe të fortifikuara.
Fshati mesjetar shqiptar paraqitej me fizionomi të kristalizuar dhe me kufij të përcaktuar. Banesat, tokat bujqësore, kullotat verore e dimërore, livadhet, vreshtat e në shumë raste edhe pyjet formonin territorin e tij. Ndërtesat e banimit ishin të mbledhura ose të shpërndara. Tipari më dallues është grumbullimi i banesave në mëhalla ose lagje. Fshati ka pasur një qendër të jetës shoqërore. Rolin e saj e ka luajtur një shesh ltuvendi, një rrap a lis shekullor, një pus, një çezmë ose një ndërtesë kulti.
Në zonat kodrinore e pllajat e vendit fshatrat kanë qenë relativisht të dendura e me popullsi të madhe. Në zonat malore e zonat e ulëta bregdetare ishin të shpërndara e të vogla.
Në territoret e banuara nga ilirët, Vb. e para qytetare njihen qysh në shek.VI-V p.e.r.
Në shekujt XI-XV qytetet (shih) ishin qendra zejtare-tregtare, që luanin rol me rëndësi edhe për krahinat përreth. Në këtë periudhë filloi dalja nga muret rrethuese dhe lindja e qytetit të hapur. Ekspeditat rrënimtare osmane e ndërprenë këtë proces. Disa qytete u kthyen në fshatra, të tjera u bënë qendra ushtarako-administrative të pushtuesit. Ringjallja e qyteteve filloi aty nga mesi i shek.XVI. Në fizionominë urbanistike të qytetit në shek.XVII dallohen: qendra, zona zejtare-tregtare, sheshet, rrugët etj. Në to ndihen edhe diferencimet klasore e dasitë fetare. Fizionomia urbanistike e kësaj periudhe u ruajt edhe në shekujt pasues. Lindja dhe zhvillimi i marrëdhënieve kapitaliste u pasqyrua edhe në urbanistikën e arkitekturën e V. Qyteti i Korçës përbën rastin më tipik, urbanistika dhe arkitektura e të cilit shënojnë shkëputje të ndjeshme nga qyteti mesjetar.
Shndërrimet e thella politike, ekonomiko-shoqërore e kulturore të Pasçlirimit po ua ndryshojnë rrënjësisht fytyrën V. tona fshatare e qytetare. Fshati dhe qyteti i sotëm po i afrohen gjithnjë e më shumë njëri-tjetrit.
(A.Mu.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vendbanimet