VENIZELLOS ELEFTERIOS


VENIZELLOS ELEFTERIOS
✤ (1864-1935). Politikan dhe burrë shteti grek. Prej 1910 e deri më 1933 ka qenë disa herë kryeministër. Më 1910 themeloi Partinë liberale greke dhe u vu në krye të saj. Në politikën e jashtme shprehu synimet ekspansioniste të borgjezisë së madhe greke; ndoqi një politikë agresive dhe aneksuese ndaj Shqipërisë dhe vendeve të tjera fqinje. Si kryeministër qe një nga protagonistët e krijimit të Lidhjes ballkanike më 1912 (shih) që çoi në shpërthimin e Luftës I ballkanike (shih) gjatë së cilës Greqia pushtoi, veç të tjerave, një pjesë të territoreve shqiptare në jug të vendit: Çamërinë, Korçën e Gjirokastrën. Çamëria u aneksua nga Greqia në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (shih) në vitet 1912-1913. Ndaj shtetit të pavarur shqiptar vijoi të ndiqte një politikë armiqësore; bëri shumë përpjekje për të përfshirë Gjirokastrën e Korçën në kufijtë e shtetit grek. Gjatë Konferencës së Paqes në Paris nënshkroi me ministrin e Jashtëm të Italisë T. Titonin një marrëveshje për ndarjen e Shqipërisë (korrik 1919).

(M.Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Venizellos Elefterios


[cite]