VEPRIMTARIA REFLEKTORE E PALCËS KURRIZORE

VEPRIMTARIA REFLEKTORE E PALCËS KURRIZORE

Kur, pa e ditur, vendosim dorën mbi një send të nxehtë, e largojmë atë në çast, menjëherë. Largimi i dorës është një veprim i pavullnetshëm, është një veprim reflektor. Veprimet reflektore e mbrojnë organizmin nga shumë rreziqe.

Qendra e veprimeve reflektore është palca e kurrizit. Kështu mund të themi se palca e kurrizit nuk është vetëm një organ i ndërmjetëm, që dërgon informacione në tru dhe merr prej tij urdhra për t’i transmetuar në muskujt e trupit, por kryen edhe veprime pa ndërmjetësinë e trurit. Pikërisht veprimet që kryen palca kurrizore, pa ndërmjetësinë e trurit, janë veprimet reflektore. Le të përmendim një shembull të thjeshtë: po të godasim me çekiç gjurin, pak më poshtë se kupa e gjurit, do të vëmë re se këmba do të ngrihet përpjetë menjëherë (këtë veprim e kryejnë mjekët, kur duan të kontrollojnë reflekset). Por çfarë ndodh? Pse këmba ngrihet përpjetë menjëherë në mënyrë të pavullnetshme? Goditja me çekiç është një ngacmim. Mbaresa e fijes nervore ndjesore, që ndodhet në gju, e merr këtë ngacmim dhe, menjëherë, në formën e një impulsi nervor, e përcjell në palcën e kurrizit, në qelizat nervore. Këto, nga ana e tyre, e kalojnë në çast këtë impuls në fijet nervore lëvizore që e transmetojnë me shpejtësi në muskulin përkatës të këmbës dhe e urdhërojnë atë që të tkurret. Këmba lëviz menjëherë, që t’i shmanget ngacmimit të dëmshëm, goditjes së çekiçit. E gjithë rruga që përshkon ngacmimi, impulsi nervor, quhet hark reflektor. Palca e kurrizit, nëpërmjet veprimeve reflektore ose reflekseve, jo vetëm mbron organizmin nga shumë rreziqe, por njëkohësisht rregullon veprimtarinë e shumë organeve, si p.sh. muskulaturën e enëve të gjakut, atë të gjëndrave të djersës e të tjera.

Trupi — Ynë

[cite]