VESHKA DHE PASTRIMI I GJAKUT

VESHKA DHE PASTRIMI I GJAKUT

Miliardat e qelizave të trupit tonë, në procesin e përpunimit të lëndëve ushqimore, është e natyrshme që prodhojnë edhe papastërti të ndryshme, të cilat duhet të mënjanohen e të dalin jashtë organizmit sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo ka një rëndësi të madhe jetësore, sepse grumbullimi i këtyre mbeturinave të dëmshme do të shkaktonte helmimin e organizmit.

Gjaku, jo vetëm që furnizon qelizat me lëndë ushqimore, por ai merr prej tyre edhe gjithë mbeturinat që ato prodhojnë. Për të pastruar gjakun nga këto mbeturina të dëmshme, organizmi ka një aparat të posaçëm. Organet kryesore të këtij aparati janë veshkat.

Trupi ynë ka dy veshka dhe ato janë të vendosura në të dyja anët e shtyllës kurrizore në nivelin e ijeve, në pjesën e prapme të barkut. Veshkat kanë formën e një fasuleje, janë 12 cm të gjata, 6 cm të gjera dhe 3 cm të trasha. Në çdo 24 orë në veshkat kalojnë rreth 1500-1700 litra gjak nga pastrimi i të cilit formohet 1,5 litër urinë, e cila nxirret jashtë organizmit nëpërmjet një kanali që quhet uretër. Veshkat kryejnë detyrën e një filtri. Gjaku që hyn në veshkat,lë aty të gjitha papastërtitë që përmban, të lëngshme ose të ngurta qofshin, dhe del prej tyre i pastruar.

Çdo veshkë ka mbi një milion filtra të vegjël, në formën e gypëzave shumë të hollë, nëpër të cilët kalon gjaku dhe lëshon papastërtitë. Këta gypëza. janë vendosur në formën e piramidave, me majë të drejtuar përbrenda veshkës. Majat e piramidave komunikojnë me një hapësirë që quhet legeni i veshkës. Pikërisht në këtë hapësirë grumbullohet urina. Nga legeni i veshkave, nëpërmjet dy kanaleve të holla, urina grumbullohet në një qeskë, që quhet fshikëza e urinës. Urina vjen në fshikëz pak nga pak. Kur fshikëza mbushet, nervat që lidhjen me të, lajmërojnë trurin për gjendjen që është krijuar në fshikëz. Në momentin e duhur, truri transmeton urdhrin te muskujt që mbajnë të mbyllur kanalin e uretrës; ata tkurren, kanali hapet dhe urina del jashtë organizmit tonë.

Nëse veshkat nuk funksionojnë mirë, atëherë ka rrezik që mbeturina të ndryshme të grumbullohen në gjak dhe të shkaktojnë çrregullime të rënda. Prandaj analiza e gjakut dhe ajo e urinës na japin të dhëna të rëndësishme mbi punën e veshkave dhe për shëndetin në përgjithësi të njeriut.

Trupi — Ynë

[cite]