VITAMINAT
Vite më parë nuk njihej ekzistenca e vitaminave. Ato u zbuluan relativisht vonë. Njëkohësisht u zbulua edhe roli që luajnë ato në organizmin e njeriut. Vitaminat marrin pjesë në shndërrimin e lëndëve ushqimore në energji, ndikojnë në rritjen e organizmit, në formimin e gjakut, të lëkurës e në shumë procese të tjera jetësore të organizmit. Sot është zbuluar se disa sëmundje shkaktohen nga mungesa e disa vitaminave në organizmin tonë, Vitaminat ndodhen në organizmin tonë në sasi të vogla, por ato janë të domosdoshme për shëndetin e tij.
Ka shumë lloje vitaminash, por katër prej tyre luajnë një rol me rëndësi në proceset e organizmit tonë. Ato janë: vitamina A, B, C dhe D.
Vitaminë A përmbajnë: karota, spinaqi, pjepri etj.; ajo ndodhet edhe në mëlçinë e kafshëve e të peshqve, në produktet e qumështit dhe në vezë. Mungesa e vitaminës A në organizëm shfaqet me një sëmundje të syve e të qepallave, me një dobësim të qëndrueshmërisë së organizmit ndaj veprimtarisë së mikrobeve dhe të viruseve. Vitamina B përfshin një grup vitaminash, me saktësi dymbëdhjetë, dhe janë emëruar: B1, B2, B3 . . dhe B12. Deri më sot është njohur funksioni vetëm i 3-4 vitaminave të grupit B. Mungesa e vitaminës B1 shkakton një sëmundje të njohur me emrin beri-beri, Ajo është e nevojshme në organizëm për funksionimin e rregullt të sistemit nervor e të zemrës. Kurse mungesa e vitaminës B2 shfaqet me infeksione në sy, me çarje të grykës dhe me sklepa në sy e në buzë. Një tjetër vitaminë e grupit B është quajtur nikotamidë; mungesa e saj shoqërohet me shqetësime të sistemit nervor. Ndërsa vitamina B12 është e nevojshme, sepse merr pjesë në prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, kështu që mungesa e saj sjell aneminë. Burime të vitaminave të grupit B janë drithërat, bizelet, fasulet, mishi i derrit dhe i gjedhëve, mëlçia, arrat etj. Vitamina C ndodhet me shumicë te limoni, te portokalli, në perimet e jeshilta dhe te patatet, Ajo është shumë e nevojshme për funksionimin e rregullt të enëve kapilare të gjakut; mungesa e saj shkakton një sëmundje të njohur me emrin skorbuti.
Një tjetër vitamine e rëndësishme është vitamina D. Ajo ndodhet kryesisht te mëlçia. te e verdha e vezës, te vaji i peshkut etj. Por organizmi ka aftësinë ta prodhojë edhe vetë këtë vitaminë, kur ekspozojmë në diell trupin tonë. Pakësimi i vitaminës D në organizmin e fëmijëve shoqërohet me dobësimin dhe me përkuljen e kockave, pra me shfaqjen e asaj sëmundjeje që quhet rakitizëm.
Sot shumica e vitaminave prodhohen me rrugë industriale, prandaj çdo mungesë vitamine mund të luftohet menjëherë, në bazë të këshillave të mjekut.