VETËQEVERISJA FISNORE


VETËQEVERISJA FISNORE
✤ Organizimi i jetës së brendshme dhe i marrëdhënieve të jashtme të shoqërisë së vjetër fisnore shqiptare. Ka ekzistuar për një kohë të gjatë në vendin tonë në zonat e brendshme e malore që nuk iu nënshtruan plotësisht pushtuesit të huaj. Në ato rrethana V.F. ka qenë shfaqje e qëndresës popullore dhe ka shërbyer për ruajtjen e individualitetit të popullit shqiptar. V.F. realizohej mbi bazën e një organizimi relativisht të qëndrueshëm dhe rregullohej nga normat e së drejtës zakonore tradicionale. Organet kryesore të vetëqeverisjes ishin: a) kuvendi i fisit, ku shqyrtoheshin problemet më të rëndësishme të brendshme e të jashtme (shih: Kuvendet); b) pleqësia (shih) ose këshilli i krerëve si organi më i lartë ekzekutiv, dhe c) kreu i fisit.

Me thellimin e diferencimin ekonomiko-shoqëror dhe shthurjen e organizimit fisnor erdhi duke u dobësuar vazhdimisht edhe shkalla e V.F.

(Xh. Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vetëqeverisja Fisnore


[cite]