VIDI VILHEM
✤ (Wilhelm Wied, 1876-1945). Princ me origjinë gjermane; i caktuar nga Fuqitë e Mëdha evropiane më 1913 në krye të shtetit shqiptar. Erdhi në Shqipëri në mars 1914 dhe krijoi qeverinë e tij. Gjatë sundimit gjashtëmujor u bë përçues i politikës së fuqive imperialiste e veçanërisht të imperializmit austro-gjerman dhe i interesave të reaksionit çifligar vendas. Nën presionin e fuqive bëri lëshime në dëm të sovranitetit të shtetit shqiptar e në favor të qarqeve shoviniste greke, duke pranuar Protokollin e Korfuzit (shih). Rolin kryesor në qeverinë e V.V. e luante çifligari Esat Toptani (shih), që përdori postet kyçe të ministrit të brendshëm dhe atij të luftës për qëllimet e tij të ngushta klasore antikombëtare.
V.V. u mbyll në Durrës i rrethuar nga Kryengritja Fshatare që shpërtheu në Shqipërinë e Mesme në maj 1914. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore në gusht 1914 ai humbi dhe mbështetjen e jashtme dhe u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914.
(G.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vidi Vilhem
[cite]