VIGU
✤ Fshat në rrethin e Shkodrës (VL). Bën pjesë në fshatin e bashkuar të Mjedës (shih). Është vendbanim i vjetër. Ruhet një kështjellë fushore e fillimit të shek. IV të erës sonë, ku mund të qëndronte një kohorte pesëqindëshe. Kështjella me sipërfaqe 0,6 ha përforcohet prej 12 kullash. HyrjeT janë të pajisura me oborre të vogla. Muret me gurë e llaç përshkohen nga breza tulle. Sipas një mbishkrimi kështjella u ndërtua nga presidi i provincës (Prevalit). Qëllimi i saj ishte kontrolli i fillimit të rrugës Lis-Ulpianë-Nais. Banorët e V. kanë marrë pjesë në luftën për pavarësi. Në gusht 1944 këtu u zhvillua lufta e Vigut (shih), ku ranë heroikisht Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda, Ahmet Haxhia e Hydajet Lezha, Heronj të Popullit. Kolektivizimi i bujqësisë u bë më 1967. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i duhanit e i misrit. V. ka shkollë 8-vjeçare, qendër shëndetësore, muze, njësi tregtare e komunale. V. është edhe një qendër minatorësh, që punojnë për nxjerrjen e kaolinës.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Vigu


[cite]