VILAJETI
✤ Njësi administrative-ushtarake në perandorinë osmane. Madhësia e V. ka ndryshuar sipas periudhave. Në shek.XV një V. kishte madhësinë e kazasë (shih). Në regjistrimin e v.1431 sanxhaku shqiptar ndahej në këto vilajete: V. i Gjirokastrës, i Vajonetës (Delvinës), i Këlcyrës, i Kaninës, i Skraparit, i Beratit, i Tomoricës, i Çartallozit e i Pavllo-Kurtikut (Shqipëria e Mesme) dhe i Krujës. Me reformën e v.1864-1868 u krijuan V. si njësia më e madhe administrative. V. ndaheshin në sanxhakë, kaza dhe nahije. Tokat shqiptare u ndanë ndërmjet 4 V: i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe i Kosovës. Në këto V. popullsia mbizotëruese ishte shqiptare, por kishte në viset periferike dhe pakica malazeze, serbe, maqedone e greke. V. kishte në krye një vali (shih). Aparati burokratik i V. përbëhej nga këshilli administrativ (mexhlisi), që drejtonte drejtoritë e financave, ekonomisë, arsimit, vakëfeve etj., nga organet gjyqësore (zyra e sheriatit), policia e xhandarmëria, ndërsa komandanti i forcave ushtarake varej drejtpërdrejt nga sulltani. (P.Th.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Vilajeti
[cite]